Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Botë

Tkurret besimi, teoritë konspirative vlojnë në SHBA

Duke refuzuar atë që dëgjojnë nga shkencëtarët, gazetarët ose zyrtarët publikë, këta njerëz përqafojnë tregime të komploteve të errëta dhe shpjegimeve sekrete. Dhe besimet e tyre, thonë ekspertët që studiojnë dezinformimin dhe ekstremizmin, pasqyrojnë një humbje të përhapur të besimit në institucione, si qeveria dhe media.

Daniel Charles Wilson beson se sulmet e 11 shtatorit të vitit 2001 ishin çështje e brendshme e Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Lufta në Ukrainë është “plotësisht skenar” dhe COVID-19 është “plotësisht i rremë”. Sulmi me bomba në Maratonën e Bostonit? Të shtëna masive në Newtown, Connecticut dhe Buffalo, New York dhe Uvalde, Teksas? “Aktorët e krizash”, thotë ai.

Wilsoni, 41-vjeçar nga Londra e Ontarios në SHBA, ka dyshime edhe për zgjedhjet e lira, vaksinat dhe trazirat e 6 Janarit në Washington. Ai pranon pak nga ajo që ka ndodhur në 20 vjetët e fundit dhe me gëzim parashikon se një ditë, interneti do t'i bëjë të gjithë po aq mosbesues sa ai.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

“Është epoka e informacionit dhe qeveria e fshehur, njerëzit që kontrollojnë gjithçka, ata e dinë se nuk mund të fitojnë”, tha Wilsoni për Associated Press. “Ata të gjithë po na gënjejnë. Por ne do ta kalojmë këtë. Do të jetë një ndryshim i mirë për të gjithë”.

Wilsoni, i cili tani po punon për një libër për pikëpamjet e tij, nuk është rast i izoluar i mosbesimit të përhershëm. Ai flet për një numër në rritje njerëzish, në vendet perëndimore që kanë humbur besimin në qeverisjen demokratike dhe shtyp të lirë dhe që janë kthyer te teoritë e konspiracionit për ta mbushur boshllëkun.

Duke refuzuar atë që dëgjojnë nga shkencëtarët, gazetarët ose zyrtarët publikë, këta njerëz përqafojnë tregime të komploteve të errëta dhe shpjegimeve sekrete. Dhe besimet e tyre, thonë ekspertët që studiojnë dezinformimin dhe ekstremizmin, pasqyrojnë një humbje të përhapur të besimit në institucione, si qeveria dhe media.

Matja me sondazhe

Një sondazh i kryer vitin e kaluar, nga Qendra e Associated Press-NORC për Kërkimin e Çështjeve Publike, zbuloi se vetëm 16% e amerikanëve thonë se demokracia funksionon mirë ose jashtëzakonisht mirë. 38% e të tjerëve thanë se po funksionon, vetëm disi mirë.

Sondazhe të tjera tregojnë se sa njerëz në Shtetet e Bashkuara tani dyshojnë në media, politikanë, shkencë dhe madje edhe në njëri-tjetrin.

Mosbesimi ka shkuar aq thellë sa edhe grupet që duken të lidhura ideologjikisht po vënë në dyshim motivet dhe synimet e njëri-tjetrit.

Një ditë para Ditës së Pavarësisë, në Boston, këtë vit, një grup prej rreth 100 burrash të maskuar që mbanin flamuj fashistë marshuan nëpër qytet. Anëtarët ngarkuan me krenari video dhe foto të marshimit në forumet online të njohura, me mbështetësit e ish-presidentit Donald Trump dhe adhuruesit e QAnon, të cilët besojnë se një grup ngacmues fëmijësh, satanë, kanibalistë, drejtojnë fshehurazi globin.

Në vend të lavdërimeve, supremacistët e bardhë u ndeshën me mosbesimin. Në disa postime shkruhej se marshuesit ishin qartësisht agjentë të FBI-së ose anëtarë të “antifas”, version i shkurtër i fjalës antifashistë, që kërkonin të shpifnin mbështetësit e Trumpit. Nuk kishte rëndësi që burrat mburreshin për përfshirjen e tyre dhe luteshin që të besoheshin. "Një tjetër flamur i rremë", shkroi një i vetëquajtur konservator, në aplikacionin “Telegram”.

Në mënyrë të ngjashme, kur një faqe interneti ekstremiste që shet armë fantazmë, të parregulluara, armë zjarri pa numra serik, pyeti ndjekësit e saj për planet e tyre të 4 korrikut, disa njerëz u përgjigjën duke akuzuar grupin se punonte për FBI-në.

Javën e kaluar, kur një monument i Gjeorgjisë, që disa të krishterë konservatorë e kritikuan si satanik, u hodh në erë, shumë posterë në tabelat e mesazheve të ekstremit të djathtë brohoritën. Por shumë të tjerë thanë se nuk e besonin lajmin.

“Unë nuk i besoj. Unë jam ende duke menduar për ff”, shkroi një grua në Twitter, duke iu referuar “flamurit të rremë”, një term që përdoret zakonisht nga teoricienët e konspiracionit, për të përshkruar një ngjarje që ata mendojnë se ishte inskenuar.

Image

Rënia e besimit

Firma globale e marrëdhënieve me publikun, Edelman, me qendër në qytetin e New Yorkut, ka kryer sondazhe në lidhje me besimin e publikut për më shumë se dy dekada, duke filluar pas takimit të Organizatës Botërore të Tregtisë në Seattle, në vitin 1999 që u përball me trazirat kundër globalizimit. Tonia Reis, drejtore e anketave të Edelman's Trust Barometer, tha se besimi është një mall i çmuar, që është jetik për funksionimin e ekonomisë dhe qeverisë.

"Besimi është absolutisht thelbësor që gjithçka në shoqëri të funksionojë mirë", tha Reis. “Është një nga ato gjëra që, si ajri, njerëzit nuk mendojnë për të derisa të kuptojnë se nuk e kanë atë, ose e kanë humbur apo dëmtuar. Dhe atëherë mund të jetë tepër vonë”.

Për ekspertët që studiojnë dezinformimin dhe njohjen njerëzore, prishja e besimit është e lidhur me rritjen e internetit dhe mënyrën se si mund të shfrytëzohet për çështje të diskutueshme të ndryshimeve sociale dhe ekonomike.

Mosbesimi dhe dyshimi ofruan avantazhe të dukshme për grupet e vogla të njerëzve të hershëm, që përpiqeshin të mbijetonin në një botë të rrezikshme dhe ato emocione vazhdojnë t'i ndihmojnë njerëzit ta vlerësojnë rrezikun personal sot. Por mosbesimi nuk është gjithmonë i përshtatshëm për botën moderne, e cila kërkon që njerëzit t'u besojnë të huajve që inspektojnë ushqimin e tyre, policinë në rrugët e tyre dhe shkruajnë lajmet e tyre. Institucionet demokratike, me rregulloret dhe kontrollet e balancat e tyre, janë një mënyrë për t'i shtuar përgjegjshmërinë këtij besimi.

Kur ky besim prishet, polarizimi dhe ankthi rritet, duke krijuar mundësi për njerëzit që shtyjnë "faktet alternative" të tyre.

"Njerëzit nuk mund ta kontrollojnë botën faktike", tha dr. Richard Friedman, një psikiatër i New Yorkut dhe profesor në Kolegjin Mjekësor, Weill Cornell, i cili ka shkruar për psikologjinë e besimit. “Ata janë të zhytur në rrjedha konkurruese informacioni, të mira dhe të këqija. Ata janë të shqetësuar për të ardhmen dhe ka shumë aktorë të këqij, me aftësinë për ta armatosur atë frikë dhe ankth”.

Këta aktorë të këqij përfshijnë grabitqarë që shesin investime të këqija ose ilaçe të rreme për COVID-19, operativë rusë të dezinformimit, që përpiqen të minojnë demokracitë perëndimore, apo edhe politikanë vendas si Trumpi, gënjeshtrat e të cilëve për zgjedhjet e vitit 2020 nxitën sulmin e 6 janarit.

Përhapja e konspiracionit

Hulumtimet dhe sondazhet tregojnë se besimi në teoritë e konspiracionit është i zakonshëm dhe i përhapur. Besimtarët kanë më shumë gjasa të marrin informacionin e tyre nga mediat sociale, sesa nga organizatat profesionale të lajmeve. Ngritja dhe rënia e teorive të veçanta konspirative janë shpesh të lidhura me ngjarje të botës reale dhe ndryshime sociale, ekonomike ose teknologjike.

Ashtu si Wilsoni, njerëzit që besojnë në një teori konspirative ka të ngjarë të besojnë edhe në të tjerat, edhe nëse ato janë reciprokisht kontradiktore. Një gazetë e vitit 2012, për shembull, shikonte besimet rreth vdekjes së Princeshës Diana, të Uellsit, në një aksident automobilistik të vitit 1997. Studiuesit zbuluan se subjektet që besonin fuqimisht se Diana u vra, thanë se gjithashtu ndienin fuqishëm se ajo mund ta kishte falsifikuar vdekjen e saj.

Wilsoni tha se besimi i tij në komplote filloi më 11 shtator të vitit 2001, kur ai nuk mund të pranonte që kullat mund të rrëzoheshin nga avionët. Ai tha se gjeti informacion në internet, që konfirmonte bindjet e tij dhe më pas filloi të dyshonte se kishte komplote pas ngjarjeve të tjera botërore.

"Duhet t'i bashkosh të gjitha vetë", tha Wilson. “Realiteti i fshehur, çfarë po ndodh në të vërtetë, ata nuk duan që ju ta dini”.

Përktheu: Forca Jashari