Botë

Tjetër valë arrestimesh në Turqi, sërish goditet opozita

Turqia

Autoritetet turke kanë lëshuar urdhërarreste për dhjetëra persona të dyshuar për korrupsion, përfshirë anëtarë të partisë opozitare, në Stamboll dhe në qytetin Adana.

Prokuroria e Përgjithshme e Stambollit ka urdhëruar ndalimin e 47 personave dhe ka arrestuar 30 prej tyre. Midis të arrestuarve janë edhe kryetarë komunash dhe zyrtarë të administratës së Stambollit.

Kjo është vala e pestë e arrestimeve ndaj kundërshtarëve politikë të qeverisë, që nisi me burgosjen e kryetarit të Bashkisë së Stambollit, Ekrem Imamoglu, i konsideruar si rivali kryesor i presidentit Recep Tayyip Erdogan, në muajin mars.

Qeveria turke i ka mohuar akuzat për ndërhyrje politike, duke këmbëngulur se gjyqësori është i pavarur.

Imamoglu, nga burgu, dërgoi letër në një tubim opozitar të shtunën, ku shkruante: “Ka ardhur koha të thuhet ‘mjaft është mjaft’ ndaj këtij rendi të padrejtë dhe të paligjshëm”.

“Po i merrni edhe kryetarët tanë të komunave me pretekste të sajuara. Çfarë do të bëni tjetër? Ku do të ndaleni? Do t’i fusni në burg një nga një 16 milionë qytetarë të Stambollit?”, pyeti ai.

Imamoglu është pjesë e Partisë Popullore Republikane (CHP), e cila ka qenë përpara në shumë sondazhe përballë Partisë për Drejtësi dhe Zhvillim (AKP) të Erdoganit. Ai është dënuar për akuza për korrupsion dhe ndihmë ndaj një grupi terrorist, akuza që i ka mohuar kategorikisht.

Arrestimi i tij ka shkaktuar protesta masive dhe arrestime në të gjithë Turqinë. Prokuroria e Stambollit ka bërë të ditur se 819 persona të arrestuar gjatë protestave do të përballen me hetime në kuadër të 20 procedurave penale.

Në katër valët e para të arrestimeve, nën akuza për korrupsion, janë ndaluar rreth 110 persona.