Tetë persona kanë mbetur të vdekur si pasojë e sulmit me armë zjarri në një sallë të Dëshmitarëve të Jehovait në qytetin gjerman të Hamburgut, e ka konfirmuar të premten policia gjermane.
Sipas policisë, në mesin e të vdekurve është edhe autori i vrasjes së shumëfishtë.
Një numër i paspecifikuar i personave të tjerë kanë mbetur të plagosur, disa prej tyre në gjendje të rëndë.
Motivi i sulmit po vazhdon të mbetet i paqartë.
Kancelari gjerman, Olaf Scholz, një ish-kryetar bashkie i Hamburgut, e përshkroi sulmin si "një akt brutal dhune".
Policia tha gjatë natës se beson se ka pasur vetëm një që ka shtënë, dhe se ky mund të jetë një person që është gjetur i vdekur në ndërtesë.
Hetuesit punuan gjatë gjithë natës për të siguruar provat. Të premten në mëngjes, hetuesit mjeko-ligjorë me kostume të bardha mbrojtëse mund të shiheshin ende jashtë ndërtesës ndërsa binte një borë e lehtë.
Zyrtarët e Hamburgut kanë thënë se do të ketë një konferencë shtypi të premten pasdite për të diskutuar detajet.