Botë

Reagimi i shpejtë i policisë shmangu masakrën masive në Hamburg

Gjashtë persona, bashkë me një foshnjë në barkun e nënës, kanë mbetur të vdekur nga sulmi i së enjtes mbrëma në Hamburg të Gjermanisë. Autoritetet gjermane kanë bërë të ditur se i dyshuari, i cili në fund ka vrarë veten, nuk kishte lidhje terroriste. E sipas tyre, reagimi i shpejtë i policisë ka shmangur mundësinë e shkaktimit të një numri më të madh të viktimave

Ish-anëtari i Dëshmitarëve të Jehovait ka vrarë gjashtë persona në qytetin e Hamburgut në Gjermani, para se ta vriste veten. Policia gjermane ka bërë të ditur të premten se një foshnjë në barkun e nënës ka vdekur, mirëpo nuk ka qartësuar nëse në mesin e të vdekurve është edhe nëna. Tetë persona janë plagosur, katër prej tyre janë në gjendje të rëndë.

Nuk ka detaje për motivet e mundshme të sulmit, por prokurorët gjermanë kanë njoftuar se nuk ka prova për lidhje terroriste.

Për shkak të reagimit të shpejtë, policia ka arritur t’ia pamundësojë të dyshuarit lëvizjen në sallën e Dëshmitarëve të Jehovait dhe kështu kanë shpëtuar shumë jetë.

Një dëshmitar ka incizuar me telefon sulmin.

Jetoj këtu afër dhe dëgjova të shtënat. Dola në dritare për të mësuar më shumë. Pastaj pash një burrë që po gjuante me armë nga dritarja. E filmova krejt sulmin”, ka thënë dëshmitari Gregor Miebach. Mirëpo ai fillimisht nuk e kuptoi se po filmonte një sulm të armatosur. “Fillimisht nuk e kuptova se çfarë po ndodhte. Pasi e afrova më shumë kamerën e kuptova se dikush po shtinte në drejtim të Dëshmitarëve të Jehovait. Pasi filmova e kuptova se çfarë po ndodhte”, ka dëshmuar Meibach.

Zyrtarët gjermanë kanë thënë se i dyshuari është 35-vjeçar, i identifikuar si Philipp F. Gjatë sulmit ai ka përdorur më shumë se 100 plumba.

Policia e Hamburgut ka bërë të ditur se i dyshuari kishte leje për armë dhe ligjërisht ishte pronar i një revoleje gjysmautomatike. Ai ishte hetuar edhe më parë pasi autoritetet kishin pranuar një letër se mund të mos ishte në gjendje për të mbajtur armë, mirëpo ai nuk i kishte shkelur rregullat e armëmbajtjes.

“I dyshuari është ngjitur në katin e dytë kur arritën shërbimet emergjente dhe më vonë ka vrarë veten, prandaj po flasim për tetë të vdekur”, ka thënë Andy Grote, ministër i Brendshëm në Hamburg.

Ai ka thënë se policia ka ardhur në vendin e ngjarjes vetëm pak minuta pasi pranuan thirrjen për ndihmë në orën 21:04. Ndërkaq njësiti i operacioneve speciale ishte në vendin e ngjarjes pesë minuta më vonë.

Të premten banorët e qytetit të Hamburgut kanë përkujtuar viktimat e sulmit ndaj Dëshmitarëve të Jehovait. Qindra persona kanë vendosur lule dhe kanë ndezur qirinj në afërsi të vendit të sulmit.

Ligjet gjermane për armët janë më të ashpra se në Shtetet e Bashkuara, mirëpo në vitet e fundit kanë ndodhur disa sulme.

Gjatë vitit të kaluar një 18-vjeçar vrau një person në ligjërata të Universitetit Heidelberg, para se ta vriste veten. Ndërkaq në janarin e vitit 2020, një person vrau gjashtë të tjerë, përfshirë edhe prindërit. Një muaj më vonë, afër Frankfurtit, një person vrau nëntë persona.