Botë

Të huajt që luftojnë për Rusinë do ta marrin shtetësinë ruse

Shtetasit e huaj që i bashkohen forcave të armatosura ruse do të mund të aplikojnë për shtetësinë ruse, sipas një dekreti të nënshkruar të enjten nga presidenti rus Vladimir Putin.

Rusia po përpiqet gjithnjë e më shumë të tërheqë rekrutët e huaj për të luftuar në Ukrainë, ndërsa do të motivojë edhe ata vendas.

Më 14 dhjetor, Putin ka thënë se nuk kishte nevojë për valë të dytë mobilizimi në Rusi, një pretendim që ai e bëri në të njëjtën mënyrë përpara se të shpallte valën e parë të mobilizimit në shtator 2022.

Dekreti i ri parashikon që, ndërkohë që pushtimi i Ukrainës është në vazhdim, të huajt që i bashkohen ushtrisë ruse do të mund të marrin nënshtetësinë ruse. Të afërmit e tyre, përfshirë fëmijët e luftëtarëve të huaj, do të kenë gjithashtu të drejtën të marrin nënshtetësinë ruse, sipas dekretit.

Dekreti gjithashtu lejon luftëtarët e huaj që janë larguar nga ushtria për arsye shëndetësore, moshe, skadim të kontratës ose përfundim të gjendjes së jashtëzakonshme, të kërkojnë shtetësi.

Ministria e Mbrojtjes e Mbretërisë së Bashkuar raportoi në shtator se Rusia po përpiqej të rekrutonte të huaj dhe punëtorë emigrantë për të shmangur shpalljen e një lëvizjeje të re mobilizimi përpara zgjedhjeve presidenciale të 17 marsit.

Rusia mund të fillojë mobilizimin e plotë pas zgjedhjeve presidenciale ruse në vitin 2024, paralajmëroi Oleksiy Danilov, sekretari i Këshillit të Sigurisë Kombëtare dhe Mbrojtjes së Ukrainës.

Kjo i jep Ukrainës dhe partnerëve të saj tre deri në katër muaj për t'u përgatitur përpara se Rusia të shkojë në një ofensivë lufte totale, sipas Danilov.