Dhjetëra protestues në një qytet ukrainas kanë sulmuar autobusët që transportonin persona të evakuuar nga Kina e goditur prej epidemisë së koronavirusit. Të evakuuarit po dërgoheshin në spitalin e Novi Sanzhary, në rajonin qendror Poltava, ku do të mbahen në karantinë për 14 ditë. Presidenti Volodymyr Zelensky u bëri thirrje protestuesve që të tregojnë pak dhembshuri.
Shërbimi ukrainas i sigurisë SSU zbuloi se një email i rremë që pretendonte se ishte nga Ministria e Shëndetësisë thoshte se disa prej të evakuuarve ishin të prekur nga virusi, transmeton Shqip. Zyrtarët e SSU-së janë duke e hetuar atë që u përshkrua si një “mashtrim i qartë”. Më herët, 45 ukrainas dhe 27 shtetas të huaj kishin fluturuar nga Wuhani i Kinës, epiqendra e virusit vdekjeprurës, drejt Kharkivit në Ukrainën lindore. Prej aty, gjashtë autobuzë I dërguan në spitalin e Novi Sanzhary, por këtu i prisnin demonstruesit që ndezën zjarre e qëlluan me gurë. Ministria vendase e shëndetësisë insistoi të tregonte se asnjë prej pasagjerëve nuk ishte i sëmurë, megjithatë kjo nuk ka mjaftuar për të fashitur zemërimin e turmës. Misioni diplomatik i Ukrainës shtoi se tre ukrainas dhe një banor i Kazakistanit ishin lënë në Kinë pasi qe raportuar se kishin ethe.
Kryeministri Oleksiy Honcharuk, Ministrja e Shëndetësisë Zoriana Skaletska dhe Ministri i Brendshëm Arsen Avakov, udhëtuan që të tre drejt Novi Sanzhary-t për të qetësuar tensionet. Në pamjet e publikuara në mediat lokale, Avakov shihej duke i thënë protestuesve: “Ne nuk po flasim për njerëz të infektuar, po flasim për njerëz të shëndetshëm”. Por një protestues iu përgjigj: “Po, deri më tani”.