Botë

Talibanët marrin kontrollin e një pike strategjike në Afganistan

Talibanët kanë marrë kontrollin e një shtabi strategjik në një provincë në qendër të Afganistanit, ka thënë një zyrtar.

Sipas tij, talibanët pushtuan shtabin e qarkut Nirkh në provincën Maidan Wardak.

Talibanët kanë kohë që ndikojnë në zonë, por rënia e shtabit nuk është shenjë e mirë për forcat e sigurisë afgane pasi trupat amerikane dhe të NATO-s kanë filluar tërheqjen e trupave nga vendi, pas 20 vite luftë.

Distrikti Nirkh është i rëndësishëm sepse lidh Kabulin me provincën Kandahar, qendër e talibanëve. Zyrtari afgan ka thënë se grupi kryengritës mori distriktin, duke konfiskuar armët dhe pajisjet ushtarake, raporton AP.

Marrja e këtij distrikti vjen pas deklaratës së talibanëve për tri ditë armëpushim për shkak të festës së Fitër Bajramit.

Talibanët po ashtu lëshuan mbi 100 të burgosur qeveritarë në të gjithë vendin. Lirimi i tyre ishte po ashtu shenjë e festës së Bajramit.