Botë

Talebanët i mbulojnë edhe kukullat

Nën talebanët, manekinet në dyqanet e veshjeve të grave në të gjithë kryeqytetin afgan të Kabulit kanë një pamje të përhumbur, me kokat e tyre të mbuluara me thasë prej pëlhure ose të mbështjella me qese të zeza plastike

Jo shumë kohë pasi ata morën pushtetin në gusht të vitit 2021, Ministria talebane e Veseve dhe Virtytit dekretoi që të gjitha manekinet duhet të hiqen nga vitrinat e dyqaneve ose t'u hiqen kokat, sipas mediave lokale. Ata e bazuan urdhrin në një interpretim të rreptë të ligjit islamik që ndalon statujat dhe imazhet e formës njerëzore pasi ato mund të adhurohen si idhuj

Nën talebanët, manekinet në dyqanet e veshjeve të grave në të gjithë kryeqytetin afgan të Kabulit kanë një pamje të përhumbur, me kokat e tyre të mbuluara me thasë prej pëlhure ose të mbështjella me qese të zeza plastike.

Manekinet e mbuluara janë një simbol i sundimit puritan të talebanëve mbi Afganistanin. Por në njëfarë mënyre, ato janë gjithashtu një shfaqje e vogël e rezistencës dhe e krijimtarisë nga tregtarët e veshjeve të Kabulit.

Fillimisht talebanët donin që manekineve t'u hiqej koka.

Jo shumë kohë pasi ata morën pushtetin, në gusht të vitit 2021, Ministria talebane e Veseve dhe Virtytit deklaroi që të gjitha manekinet duhet të hiqen nga vitrinat e dyqaneve ose t'u hiqen kokat, sipas mediave lokale. Ata e bazuan urdhrin në një interpretim të rreptë të ligjit islamik që ndalon statujat dhe imazhet e formës njerëzore pasi ato mund të adhurohen si idhuj – megjithëse ajo gjithashtu lidhet me fushatën e talebanëve për t'i detyruar gratë të largohen nga sytë e publikut.

Image
Manekinet e mbuluara janë një simbol i sundimit puritan të talebanëve mbi Afganistanin. Por në njëfarë mënyre, ato janë gjithashtu një shfaqje e vogël e rezistencës dhe e krijimtarisë nga tregtarët e veshjeve të Kabulit

“Zbutja” e urdhrit

Disa shitës rrobash u bindën. Por të tjerët u larguan.

Ata u ankuan se nuk do të ishin në gjendje t'i shfaqnin rrobat e tyre siç duhet ose do të duhej të dëmtonin manekinet me vlerë. Kështu, talebanët duhej të ndryshonin urdhrin e tyre dhe lejuan pronarët e dyqaneve të mbulonin kokat e manekineve.

Më pas, pronarët e dyqaneve duhej të balanconin mes bindjes ndaj talebanëve dhe përpjekjes për të tërhequr klientët. Shumëllojshmëria e zgjidhjeve me të cilat ata dolën në pah janë ekspozuar në rrugën “Lycee Maryam”, një rrugë tregtare e klasës së mesme e mbushur me dyqane veshjesh në një pjesë veriore të Kabulit. Dritaret dhe ekspozitat e dyqaneve janë të mbushura me manekine me fustane mbrëmjesh dhe fustane me ngjyra - dhe të gjitha me lloje të ndryshme të mbulesave të kokës.

Në një dyqan kokat e manekineve ishin të mbuluara me thasë të qepur të bërë nga i njëjti material si veshjet tradicionale që ata modelonin. Njëra, me një fustan ngjyrë vjollce, të qepur me rruaza, kishte një mbulesë ngjyrë vjollce të përshtatshme. Një tjetër, me një fustan të kuq të qëndisur hollësisht në ar, ishte pothuajse elegante në një maskë prej kadifeje të kuqe me një kurorë ari në kokë.

"Unë nuk mund t'i mbuloj kokat e manekineve me gjëra plastike ose të shëmtuara, sepse kjo do t’i bënte dritaren dhe dyqanin tim të dukeshin të shëmtuar", tha Bashir, pronari i butikut. Ashtu si pronarët e tjerë, ai foli për Associated Press me kusht që të identifikohej vetëm me emrin e tij të parë nga frika e hakmarrjes.

Image
Nën talebanët, dasmat janë një nga mundësitë e pakta të mbetura për tubime shoqërore. Por me të ardhurat kaq të tendosura, ato janë organizuar më pak

Kriza e shitjes

Pronarët e dyqaneve duhet t'i bëjnë gjërat tërheqëse - ekonomia është shembur që nga marrja e pushtetit nga talebanët dhe ndërprerja e financimit ndërkombëtar që pasoi, duke e çuar pothuajse të gjithë popullsinë në varfëri.

Veshjet e përpunuara kanë qenë gjithmonë të njohura në Afganistan për dasma, të cilat edhe para talebanëve zakonisht ishin të ndara sipas gjinisë, duke u dhënë grave një shans të vishen në mënyrën më të bukur në shoqërinë konservatore të vendit. Nën talebanët, dasmat janë një nga mundësitë e pakta të mbetura për tubime shoqërore. Por me të ardhurat kaq të tendosura, ato janë organizuar më pak.

Bashir tha se shitjet e tij janë gjysma e asaj që ishin më parë.

“Blerja e veshjeve të dasmës, të mbrëmjes dhe tradicionale nuk është më prioritet për njerëzit”, tha ai. "Njerëzit mendojnë më shumë për ushqim dhe për të mbijetuar".

Një tjetër pronar dyqani, Hakim, u dha formë kokave të manekineve të tij me fletë alumini. Kjo u shton njëfarë drite mallrave të tij.

“Kam krijuar një mundësi nga ky kërcënim dhe ndalim dhe e bëra në mënyrë që manekinet të jenë edhe më tërheqëse se më parë”, tha ai.

Jo të gjitha mund të jenë kaq të përpunuara. Në një dyqan manekinet me fustane pa mëngë kishin të gjitha thasë të zinj plastike mbi kokë. Pronari tha se nuk mund të përballonte më shumë.

Agjentët e kukullave

Një tjetër pronar dyqani, Aziz, tha se agjentët e Ministrisë së Veseve dhe Virtytit i patrullojnë rregullisht dyqanet dhe qendrat tregtare për t'u siguruar që manekineve t'u hiqet koka ose të mbulohen. Ai nuk pranoi justifikimin e talebanëve për rregullat. “Të gjithë e dinë se manekinet nuk janë idhuj dhe askush nuk do t'i adhurojë ato. Në të gjitha vendet myslimane manekinet përdoren për të ekspozuar rrobat”.

Një numër i vogël manekinësh meshkuj mund të shihen në vitrinat e ekspozitës, gjithashtu me kokë të mbuluar, gjë që sugjeron se autoritetet po e zbatojnë ndalimin në mënyrë uniforme.

Talebanët fillimisht thanë se nuk do të impononin të njëjtat rregulla të ashpra mbi shoqërinë siç bënë gjatë sundimit të tyre të parë në fund të viteve 1990. Por ata kanë vendosur në mënyrë progresive më shumë kufizime, veçanërisht për gratë. Ata i kanë ndaluar gratë dhe vajzat të shkollohen përtej klasës së gjashtë, i kanë ndaluar nga shumica e vendeve të punës dhe kanë kërkuar që të mbulojnë fytyrën kur janë jashtë.

Së fundmi, një grua që bënte pazar në rrugën “Lycee Maryam” shikoi manekinet e mbuluara.

“Kur i shoh, ndiej se edhe këto manekine janë kapur dhe bllokuar dhe më vjen një ndjenjë frike”, tha gruaja, e cila dha vetëm emrin e saj, Rahima.

“Më duket sikur e shoh veten pas këtyre vitrinave, një grua afgane që i janë privuar të gjitha të drejtat e saj”.

Përktheu: Forca Jashari