Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Botë

Talebanët arrestojnë disa gra për shkak të hixhabit

Talebanët kanë arrestuar gra në kryeqytetin afgan pasi nuk e kishte vënë si duhej hixhabin, ka thënë një zëdhënës i Ministrisë së Virtytit.

Është konfirmimi i parë zyrtar i goditjes ndaj grave që nuk respektojnë kodin e veshjes sipas talebanëve që kur u rikthyen në pushtet në vitin 2021.

Gratë dhe vajzat në Afganistan po përballen tashmë me rregulla të ashpra për to, që përfshijnë ndalimin e edukimit, punësimit dhe qasjes në vende publike, raportoi AP. 

Zëdhënësi Abdul Ghafar Farooq nuk ka treguar se sa gra janë arrestuar ose se çka nënkupton vënia e hixhabit në mënyrë jo të duhur.

Në maj 2022, talebanët lëshuan një dekret që u bënte thirrje grave të tregonin vetëm sytë dhe të vishnin burka – veshjen nga koka te këmbët.