Tajlanda ka pezulluar licencat për armët e zjarrit pas të shtënave vdekjeprurëse në një shkollë në Nonthaburi, ndërkohë që trupat e adoleshentit që ka kryer sulmin dhe të gjyshërve të tij të cilët ai i ka vrarë, janë djegur.
Kryeministri tajlandez, Anutin Charnvirakul, ka deklaruar se kishte urdhëruar ministrinë e Brendshme dhe policinë të ndalonin lëshimin e licencave për zotërimin, blerjen dhe mbajtjen e armëve të zjarrit, si dhe ka bërë thirrje për "kontrolle më të rrepta dhe masa ndëshkuese vendimtare".
Këto masa janë të përkohshme derisa të hyjë në fuqi një ligj i ri për kontrollin e armëve, sipas kanalit televiziv qeveritar NBT World.
Anutin ishte zotuar të zbatonte ndryshime të premten, pasi më herët atë mëngjes, një djalë 14-vjeçar vrau me armë zjarri gjyshërit që e kishin rritur, në shtëpinë e tyre në Nonthaburi (në veri të Bangkokut), para se të vriste gjashtë persona të tjerë në shkollën e tij dhe më pas të vriste veten.
Anutin kishte synuar reforma të tilla edhe gjatë detyrave të mëparshme si ministër i Brendshëm dhe i Shëndetësisë, pas incidenteve me dhunë të armatosur në vitet 2022 dhe 2023.
Në vitin 2023, gjatë një incidenti me të shtëna, një djalë i së njëjtës moshë kishte vrarë dy persona në një qendër tregtare duke përdorur një pistoletë të modifikuar (e krijuar fillimisht për fishekë manovre), e cila sipas policisë me gjasë ishte porositur në internet.
Edhe
Ndalimi i ndihmave amerikane shkakton uri e shkatërrim në Birmani
Megjithatë, premtimet e kaluara për shtrëngimin e ligjeve mbi armët nuk i kanë parandaluar incidentet e fundit me të shtëna.
Për më tepër, ndonëse ligjet e Tajlandës për licencimin duken të rrepta, realiteti është se vendi ka miliona armë të paregjistruara.