Autoritetet tajlandeze e kanë akuzuar Kamboxhian se e ka shkelur qëllimisht marrëveshjen e armëpushimit për të cilën të dyja vendet kishin rënë dakord një ditë më parë, si mënyrë për t’i dhënë fund përleshjeve kufitare që kanë shkaktuar të paktën 33 të vdekur dhe kanë zhvendosur me mijëra njerëz.
Në ushtrinë tajlandeze kanë njoftuar se nga ana e Kamboxhias është vazhduar të hapet zjarr në disa lokacione deri në orët e hershme të mëngjesit, ka raportuar BBC.
E në Ministrinë kamboxhiane të Mbrojtjes është bërë e ditur se nuk ka pasur përleshje të armatosura mes të dyja palëve që nga fillimi i armëpushimit në mesnatë.
Tensionet ndërmjet vendeve të Azisë Juglindore lidhur me çështjet kufitare u përshkallëzuan në konflikt të plotë javën e kaluar, pasi pesë ushtarë tajlandezë u plagosën nga shpërthimi i një mine.
Si kundërpërgjigje, Tajlanda i mbylli disa pika kufitare, dëboi ambasadorin kamboxhian si dhe tërhoqi ambasadorin e saj nga shteti fqinj.
Pas shkëmbimit të zjarrit midis të dy palëve herët të enjten, Kamboxhia i lansoi disa raketa në drejtim të Tajlandës, duke lënë të vrarë disa civilë.
Ndërkaq, më shumë civilë humbën jetën në të dy anët e kufirit, teksa dhjetëra mijëra të tjerë u evakuuan drejt strehimoreve.