Qyteti i dytë i Rusisë, Shën Petersburgu dhe rajoni përreth Leningradit, u vunë nën një sulm të madh me dronë ukrainas gjatë natës. Autoritet ruse si dhe ato ukrainase kanë njoftuar se gjatë sulmit janë goditur një port lokal dhe infrastrukturë nafte.
Guvernatori i Shën Petersburgut, Alexander Beglov, tha se qyteti me 6 milionë banorë i ishte nënshtruar një sulmi "në shkallë të gjerë" me dronë, ku ishte goditur terminali i naftës i qytetit. Ai tha se nuk kishte viktima.
Guvernatori i rajonit të Leningradit, Alexander Drozdenko, tha se dronët kishin goditur portin Vysotsk. Porti shfrytëzohet për transport të naftës, drithërave, qymyrit dhe gazit natyror të lëngshëm, raportoi Reuters.
Drozdenko tha se 72 dronë ishin rrëzuar mbi rajonin e Leningradit.
Në një postim në Telegram, presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky tha se forcat mbrojtëse të Ukrainës goditën infrastrukturën e naftës që gjeneron të ardhura për luftën e Rusisë, dhe gjithashtu goditën Kronstadtin, një objektiv i rëndësishëm ushtarak më shumë se 850 km nga kufiri shtetëror i Ukrainës.
Ukraina ka intensifikuar sulmet ndaj infrastrukturës energjetike ruse këtë vit, duke shkaktuar mungesa të karburantit në pjesë të Rusisë.
-
Evakuim i pjesshëm pas sulmeve në një bazë ushtarake pranë Shën Petersburgut
-
Ukraina sulmon Rusinë me qindra dronë, të paktën gjashtë të vdekur
-
Ukraina sulmon Rusinë, të paktën 13 të vdekur e rreth 40 të plagosur
-
Ukraina godet dy rafineri ruse të naftës
-
Ukraina godet një rafineri nafte në rajonin rus të Krasnodarit