Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Botë

Sulmohen qytetet ukrainase pas shpërthimit në urën e Krimesë

Banorët e qyteteve më të mëdha të Ukrainës janë tronditur nga sulmet ndërmjet të dielës dhe të hënës, duke bombarduar edhe qendrën e Kievit, ku së paku tetë persona janë vrarë, raporton agjencia AP. 

Presidenti rus, Vladimir Putin, forcat e të cilit pushtuan Ukrainën fqinje më 24 shkurt, ka thënë se sulmet ishin hakmarrje për ato që i ka quajtur aksione terroriste të Kievit – referencë për përpjekjet e Ushtrisë ukrainase për t’i zmbrapsur trupat ruse nga territori i ish-republikës sovjetike.

Putini i është referuar edhe sulmit në fundjavë në urën që lidh Rusinë dhe Gadishullin e aneksuar të Krimesë.

Së paku tetë persona mbetën të vdekur nga bombardimet dhe 24 të tjerë u plagosën vetëm në sulmet e Kievit.

Edhe në qytetin e Harkivit, ku janë kryer shumë sulme ajrore në mëngjesin e sotëm, banorët janë detyruar të kthehen në strehimore dhe në metronë e stacionit të trenit. Banorët kanë thënë se kishin pritur kundërpërgjigjen ruse pas shpërthimit në urën e Krimesë.

Shumë liderë të Evropës kanë denoncuar valën e fundit të sulmeve ajrore të Rusisë në mbarë Ukrainën.

Kryediplomati i Bashkimit Evropian ka kritikuar reagimin e ngadalshëm të bllokut për krijimin e infrastrukturës së misionit të trajnimit ushtarak për forcat e armatosura ukrainase. Ky plan pritet të diskutohet vetëm javën e ardhshme.

Shtetet anëtare të Bashkimit Evropian dhe NATO-s tashmë po ndihmojnë Ukrainën me trajnimin e forcave të armatosura mbi baza dypalëshe.

Putini ka kërcënuar me kundërpërgjigje të ashpër që, sipas tij, do të korrespondojë me atë që e ka quajtur kërcënim ndaj Federatës Ruse, ani pse vendi i tij ka pushtuar fqinjin sovran.

Artikuj të ngjashëm