Të dyshuarit kryesorë në sulmin vdekjeprurës në Moskë ishin nga Taxhikistani. Tash, shumë taxhikë, që punojnë në Rusi, janë duke u dëbuar ose duke u ngacmuar.
Muhammadi thotë se ka gjetur një jetë më të mirë në Rusi. Pasi kishte emigruar nga Taxhikistani vjeshtën e kaluar, ai ka filluar ta drejtojë një furgon të dërgesave në Siberi, ka regjistruar fëmijët nëpër shkolla vendase, ka aplikuar për pasaportë ruse dhe ka filluar planifikimin e blerjes së apartamentit me kursimet nga rroga e tij e madhe.
Por këto plane u përmbysën pas arrestimit të një grupi të shtetasve të Taxhikistanit, që akuzohen për sulmin në sallën e koncerteve në Moskë muajin e kaluar, ku mbetën të vrarë 145 persona.
Muhammadit i është rritur frika se mund të përfshihet në goditjet që po pësojnë imigrantët nga Azia Qendrore, të cilët përkujdesen për zhvillimin ekonomik të Rusisë.
Sulmi, ka thënë ai, ka fshirë të gjithë mundin që ka kaluar familja e tij për t’u bërë pjesë e shoqërisë ruse. Në një intervistë me telefon nga qyteti i Novosibirskut, ai ka shtuar se do të largohet për në Taxhikistan nëse policia ose radikalët nacionalistë do ta shënjestrojnë.
“Do të kem vetëm një copë bukë, por të paktën do të jem në atdheun tim, duke jetuar pa frikën se dikush mund të më trokasë në derë”, ka thënë Muhammadi, mbiemri i të cilit nuk përmendet për shkaqe sigurie.
Policia ruse i është përgjigjur sulmit terrorist, më vdekjeprurësi në vend në dekada, duke bastisur mijëra zona ndërtimi, konvikte, kafene dhe magazina, që punësojnë ose kujdesen për imigrantët. Gjyqet ruse kanë dëbuar mijëra të huaj pas seancave të shpejta mbi shkeljet e dyshuara të imigracionit. Dhe zyrtarët rusë kanë propozuar masa të reja për ta kufizuar imigracionin.
Goditja zyrtare është shoqëruar nga rritja e sulmeve ksenofobe përgjatë Rusisë, sipas mediave vendore dhe grupeve të të drejtave, të cilat kanë dokumentuar rrahje, abuzim verbal dhe grafite raciste të drejtuara ndaj imigrantëve.

Goditja që ekspozoi kontradiktat e Rusisë së kohës së luftës
Goditja ka ekspozuar një nga kontradiktat kryesore të Rusisë së kohës së luftës, ku entuziazmi nacionalist i promovuar nga qeveria ka sjellë ksenofobinë në nivele të reja të larta, edhe pse punonjësit e huaj janë bërë pjesë e pazëvendësueshme.
Ndërsa punonjësit rusë kanë shkuar të luftojnë në Ukrainë, kanë marrë punë në fabrika të armatimit ose janë larguar nga vendi për t’i ikur rekrutimit, qytetarët e Taxhikistanit dhe të dy vendeve të tjera të Azisë Qendrore e kanë mbushur pjesërisht boshllëkun.
Ata ndër të tjera kanë rindërtuar qytetet e pushtuara ukrainase të shkatërruara nga lufta. Disa janë regjistruar për të luftuar për Rusinë, me premtime se do të marrin rroga dhe po ashtu pasaporta ruse me procedurë të përshpejtuar.
Por këto nevoja janë duke u peshuar me prioritetet e tjera.
Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, javën e kaluar e ka bërë të qartë në një fjalim të mbajtur për zyrtarët policorë.
“Respekti për traditat, gjuhën, kulturën dhe historinë tonë duhet të jetë faktor përcaktues për ata që dëshirojnë të vijnë dhe të jetojnë në Rusi”, ka thënë ai.
Igor Efremov, demograf rus, ka vlerësuar se ka pasur rreth tre deri në katër milionë imigrantë që punojnë në Rusi në çdo kohë. Ai ka thënë se popullsia totale e Rusisë është rreth 146 milionë.
Shumica e këtyre imigrantëve janë nga tri vendet e varfra të ish-Bashkimit Sovjetik në Azinë Qendrore: Taxhikistani, Kirgistani dhe Uzbekistani. Këto vende, kryesisht myslimane, janë bërë burime kryesore në rritje të imigrimit në Rusi dhe sanksionet e Perëndimit e kanë bërë vendin më pak atraktiv për shumë të huaj.
Masakra në sallën e koncerteve ka ekspozuar brishtësinë e pozitës së tyre. Meqë sot shumica e imigrantëve në Rusi vijnë nga vendet me gjuhë dhe kulturë të ndryshme dhe nga fe të ndryshme, ata kanë qenë posaçërisht të ekspozuar ndaj ngacmimit gjatë luftës në Ukrainë, të cilën Kremlini e ka prezantuar si përpjekje për mbijetesën e identitetit kulturor të Rusisë.
Teksa një mori e feve janë të praktikuara në Rusi, Kremlini në mënyrë konstante e quan Kishën Ortodokse Ruse si element qendror të kulturës ruse.
Rreth dhjetëra taxhikë që punojnë në Rusi kanë rrëfyer për “The New York Times” frikën e tyre pas sulmit më 22 mars. Disa kanë thënë se nuk janë larguar nga shtëpitë për ditë të tëra, për ta shmangur dëbimin e mundshëm ose sepse kanë ndier turp që burrat nga vendi i tyre kanë shkaktuar kaq shumë dhimbje.
“Ti je duke ecur dhe i dëgjon këto komente: ‘Largohu, largohu shumë larg’”, ka thënë Gulya, një pastruese taxhike, e cila ka punuar në Rusi për gati dy dekada. “Unë e dua Rusinë, e dua sa vendin tim, por njerëzit janë të inatosur, agresivë”, ka thënë Gulya, e cila është duke shqyrtuar të kthehet në vendlindje nëse rriten tensionet.
Valentina Chupik, avokate e cila u siguron ndihma ligjore imigrantëve në Rusi, ka thënë se ajo ka apeluar 614 urdhërdëbime që nga sulmi terrorist. Një tjetër aktivist i të drejtave të imigrantëve, Dmitri Zair-Bek, ka treguar se është në dijeni për rreth 400 dëbime vetëm në St. Petersburg.
“Ne kurrë nuk kemi parë një shkallë të tillë të operacioneve antiimigracion”, ka thënë Zair-Bek në një intervistë nëpërmjet telefonit.

Taxhikët më të prekur nga masat antiimigracion të Rusisë
Taxhikët janë prekur më së shumti nga këto masa.
Taxhikistani ka nisur një luftë civile menjëherë pasi ka fituar pavarësinë, konflikt ky që ka përshpejtuar përhapjen e fundamentalizmit islamik.
Statusi i vendit, si më i varfri nga ish-vendet e Bashkimit Sovjetik të dikurshëm, do të thotë se ka pak punë në dispozicion nëse njerëzit rikthehen aty. Dhe disa qytetarë taxhikë, që kanë kërkuar azil në Rusi për shkak të trazirave në vend, kanë thënë se nuk është e sigurt që të kthehen në vendlindje.
Evgeni Varshaver, ekspert rus për imigracionin, ka vlerësuar se rreth një milion taxhikë, ose rreth një e dhjeta e popullsisë së Taxhikistanit, është në Rusi.
Varfëria e Taxhikistanit dhe izolimi i tij politik e ka bërë të mundshme largimin e taxhikëve në Rusi një herë e mirë. Tre nga katër banorë të huaj, me qëndrim afatgjatë që Rusia i ka fituar që nga fillimi i pushtimit të Ukrainës kanë ardhur nga Taxhikistani, sipas agjencisë ruse të statistikave.
Shumica e taxhikëve në Rusi janë imigrantë ekonomikë që kryejnë punë që shmangen gjithnjë e më shumë nga banorët rusë, të tilla si ndërtimtaria dhe agrikultura. Shumë prej tyre flasin pak rusisht dhe punojnë në margjinat e ekonomisë formale, duke i bërë të ndjeshëm ndaj abuzimit nga punëdhënësit ose zyrtarët e korruptuar.

Përveç punëtorëve sezonalë, Rusia mbetet destinacioni kryesor për klasën e vogël të profesionistëve të Taxhikistanit, të cilët shpesh e shohin epokën sovjetike si periudhë stabiliteti dhe të lirive personale krahasuar me trazirat e luftës civile dhe rritjes së fundamentalizmit islamik që ka goditur vendin e tyre që nga pavarësia.
Të rrjedhshëm në rusisht dhe të edukuar mirë, kjo klasë e mesme e taxhikëve priret të ballafaqohet më pak me raste të ksenofobisë.
“E kam parë si taxhikëve u bërtasin, mënyra se si sillen zyrtarët me ta, vetëm pse munden”, ka thënë Safina, profesioniste taxhike e cila ka punuar në Rusi. “Por kur unë shkoj në vendet e njëjta, me mua sillen shumë mirë”.
Prapëseprapë, edhe ata që janë integruar kulturalisht, kanë qenë shënjestër e kritikave që nga sulmi terrorist.
Një komandant konservator rus e ka raportuar këngëtaren e lindur në Taxhikistan, Manizha Sangin, te zyra e prokurorit, pasi ajo ka folur për rrahjet brutale të të dyshuarve taxhikë, duke e quajtur “torturë publike”. Sangin e ka përfaqësuar Rusinë në festivalin e këngës “Eurovision” në vitin 2021 me këngën “Gruaja ruse”.
Aktivistët djathtakë kanë frikë se trajtimi i qeverisë ndaj të dyshuarve ka ndihmuar në nxitjen e sulmeve të fundit raciste kundër taxhikëve.
Ekspertët rusë të imigrimit thonë se sulmi në sallën e koncerteve mund të ndryshojë më tutje kahun e debatit të imigrimit në vend, duke anuar drejt prioriteteve të sigurisë kombëtare e kjo në dëm të ekonomisë. Disa politikanë dhe komentues konservatorë kanë bërë thirrje për ligje të reja të kufizimit të imigrimit, teksa mbështetësit e punëtorëve të huaj kanë qëndruar në heshtje.
Biznesmeni konservator, Konstantin Malofeev, ka krijuar një institut politik për të influencuar mënyra që limitojnë imigrimin.
“Ne jemi gati dhe duam të jetojmë me taxhikët, uzbekët, dhe kirgizët; ata janë fqinjët tanë”, ka thënë Malofeevi në një intervistë me video nga një zyrë në Moskë, e dekoruar me figura ortodokse të krishtera. Por, ai ka shtuar se “këta punonjës imigrantë duhet të bëhen më rusë”.
Nevoja për ushtarë dhe punonjës në fabrikat e armëve ka shtyrë papunësinë ruse në një rekord të ulët me 2.8 për qind në shkurt, duke krijuar shkurtesa akute të punës që janë duke nxitur inflacionin dhe janë duke destabilizuar ekonominë, sipas Bankës Qendrore të Rusisë. Popullsia në rënie e vendit e bën të pamundur zgjidhjen e këtyre mungesave pa punonjësit e huaj, thonë ekspertët e imigrimit.
“Gjëja më e rëndësishme është që armiku të mos depërtojë”, ka thënë demografi Efremov.
Përgatiti: Latra Gashi