Botë

Sulmet në Krime i kanë dhënë goditje psikologjike Rusisë

Sulmet në Krime po kanë ndikim të madh psikologjik dhe operacional te forcat ruse, u kanë thënë zyrtarët perëndimorë gazetarëve, raporton BBC.

Shpërthimet në bazën ajrore Saki më 9 gusht dhe sulmet tjera, i kanë larguar nga funksioni gati gjysmën e bazës ajrore ruse në Krime, është thënë.

Ushtria e Rusisë ka pësuar një sëri të turpërimeve që kur nisi pushtimin e Ukrainës më 24 shkurt.

Zyrtarët kanë thënë se ngjarjet e fundit e kanë shtyrë ushtrinë ruse të marrë pozitë defensive.

Në mars, anija e njohur luftarake ruse Moskva, krenaria e forcës detare ruse, u fundos nga Ukraina.

Fundosja ishte goditje e madhe për Rusinë.

Në atë kohë nga Ministria e Brendshme e Rusisë ishte thënë se armatimi në anije kishte shpërthyer që çoi te fundosja e Moskës.

Në qershor, Ushtria e Rusisë pësoi një turpërim tjetër, kur u detyrua të largohej nga Ishulli i Gjarprit.

Në javët e fundit, ka pasur një sëri të sulmeve të pashpjeguara në Krime, gadishull të cilin Rusia e aneksoi në vitin 2014.

Ukraina zyrtarisht nuk ka marrë përgjegjësinë për sulmet.

Së paku tetë aeroplanë luftarakë u shkatërruan në bombardimin e bazës ajrore Saki më 9 gusht.

Pas sulmeve, nga Krimea u larguan shumë pushues rusë.

Në Krime pati edhe shpërthime tjera.

Fakti se shpërthimet në Krime, një vend që më herët ishte konsideruar i sigurt nga sulmet ukrainase – ishin parë nga mijëra turistë rusë, shumica prej të cilëve ikën, ka pasur ndikim negativ psikologjik në Moskë.

Zyrtarët perëndimorë, thonë se flota e Rusisë në Detin e Zi është reduktuar përgjysmë, e po ashtu tash ka marrë një pozicion defensiv.

Të mërkurën, mediumet shtetërore ruse raportuan se komanduesi i flotës, Igor Osipov, është zëvendësuar pas sulmeve.

Shef i ri i flotës është emëruar Viktor Sokolov.

Të mërkurën, zyrtarët e Mbrojtjes së Britanisë së Madhe kanë thënë se planet e Kremlinit janë “minuar” nga dështimet e marinës ruse për të marrë nën kontroll të plotë Detin e Zi.