Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Botë

Sulmet ajrore në Severodonetsk shkaktuan një shpërthim kimik

Shperthimi i nje kontejneri te acidit nitrik ne Severodonetsk

Shpërthimi i një kontejneri me acid nitrik në Severodonetsk, thuhet të jetë shkaktuar nga një sulm ajror rus, ka thënë kreu ushtarak rajonal i rajonit të Luhanskut, Serhiy Haidai, raporton BBC.

“Kishte një sulm ajror në fabrikën kimike në Severodonetsk, ku u godit një kontejner me acid nitrik”, ka thënë Haidai.

Ai ka treguar se është liruar një tym në ajër. Bazuar nga rrjedhjet e kaluara kimike, ai parashikon rrezik për qytetarët në një perimetër 400 metra nga vendi i shpërthimit. Jashtë atij perimetri, njerëzit mund të përballen me irritim të syve.

Haidai ka thënë se momentalisht nuk ka mundësi të evakuohen afro 15 mijë banorë që vazhdojnë të mbeten në Severodonetsk.

Ai ka thënë se qyteti po vazhdon të sulmohet nga forcat ruse.

“Rusët nuk po ofrojnë korridore humanitare. 70 deri 80 për qind të qytetit kontrollohet nga ushtria ruse. Qyteti fqinj Lysychansk është nën kontroll të plotë të Ukrainës”, tha Haidai.