Botë

Spanja ratifikon protokollin për anëtarësimin e Finlandës dhe Suedisë në NATO

Parlamenti i Spanjës e ka ratifikuar të enjten anëtarësimin e Finlandës dhe Suedisë në NATO.

Ky vendim i ka sjellë dy shtetet nordike një hap më afër bashkimit me aleancën veri-atlantike, në atë që llogaritet si zgjerimi më i rëndësishëm i saj, që nga viti 1990, si përgjigje ndaj luftës së Rusisë në Ukrainë.

Suedia dhe Finlanda kanë aplikuar për t’u bërë pjesë e aleancës së 30 shteteve, pas nisjes së pushtimit të Ukrainës, më 24 shkurt, nga Rusia.

Rusia i ka përsëritur paralajmërimet ndaj dy vendeve që të mos i bashkohen NATO-s, derisa aksionet e veta në Ukrainë i ka quajtur “një operacion special ushtarak”.

Aleatët e NATO-s e kanë nënshkruar protokollin e aksesit për dy shtetet, në korrik. Mirëpo kjo duhet të ratifikohet nga parlamentet e të gjithë anëtarëve të tij, përpara se Finlanda dhe Suedia të merren në mbrojtje nga aleanca. Pas ratifikimit të Spanjës, pesë vende mbeten në listë dhe ratifikimi mund të zgjasë deri në një vit.

Dhoma e ulët e miratoi pranimin me 290 vota pro, 11 vota kundër dhe 47 abstenime.

"Është një rezultat historik sepse ne po konsolidojmë NATO-n si një aleancë të demokracive të lira dhe vullnetare që janë të bashkuara për të mbrojtur paqen”, tha të enjten Sergio Gutierrez, ligjvënës për Partinë Socialiste në pushtet.