Botë

“S’janë për ju” - Palestinezët përjashtohen nga strehimoret izraelite

palestine

Teksa raketat iraniane e godisnin Izraelin, qytetarët palestinezë të vendit përballeshin me dy beteja: njëra në qiell dhe tjetra në tokë, për të gjetur strehë. Shumë prej tyre përjashtoheshin nga strehimoret, të refuzuar nga fqinjët dhe nga vetë shteti. Në vend të mbrojtjes, ata gjenin dyer të mbyllura dhe heshtje

(Al – Jazeera) - Kur raketat iraniane filluan të binin mbi Izrael të premten e javës së shkuar, shumë banorë filluan të kërkonin strehim. Tingujt e sirenave dëgjoheshin në të gjithë vendin, ndërsa njerëzit nxitonin drejt strehimoreve kundër bombave.

Por, për disa qytetarë palestinezë të Izraelit - dy milionë banorë ose afërsisht 21 për qind e popullsisë - dyert u mbyllën me forcë, jo nga forca e shpërthimeve dhe jo nga armiqtë, por nga fqinjët dhe bashkëqytetarët.

Kryesisht duke jetuar në qytete, qyteza dhe fshatra brenda kufijve të njohur ndërkombëtarisht të Izraelit, shumë qytetarë palestinezë të Izraelit e gjetën veten të përjashtuar nga infrastruktura shpëtimtare gjatë netëve më të këqija të konfliktit Iran-Izrael deri më sot.

Për Samar al-Rashed, një nënë beqare 29-vjeçare, që jetonte në një kompleks apartamentesh kryesisht hebreje pranë Acre, realiteti i këtij përjashtimi erdhi të premten e kaluar në mbrëmje. Samar ishte në shtëpi me vajzën e saj pesëvjeçare, Jihan. Ndërsa sirenat u dëgjuan, duke paralajmëruar për raketat që po vinin, ajo e kapi vajzën e saj dhe nxitoi për në strehën e ndërtesës.

“Nuk kisha kohë të merrja asgjë”, kujtoi ajo. “Vetëm ujë, telefonat tanë dhe e kapa vajzën time për dore”.

Nëna në panik u përpoq ta qetësonte vajzën e frikësuar, ndërsa fshihte të sajën, duke e inkurajuar butësisht me një arabishte të butë që të vazhdonte me hapat e saj të nxituar drejt strehës, ndërsa fqinjët e tjerë i zbrisnin gjithashtu shkallët.

Por, te dera e strehës, tha ajo, një banor izraelit, pasi e kishte dëgjuar të fliste arabisht, ia bllokoi hyrjen - dhe ua mbylli derën para syve.

“Mbeta e shtangur”, tha ajo. “Unë flas rrjedhshëm hebraisht. U përpoqa ta shpjegoja. Por ai më shikoi me përbuzje dhe tha vetëm: ‘S’janë për ju’”.

Në atë moment, tha Samar, u zbuluan ndarjet e thella të shoqërisë izraelite. Duke u ngjitur në apartamentin e saj dhe duke i parë raketat e largëta që e ndriçonin qiellin, dhe herë pas here përplaseshin në tokë, ajo u tmerrua si nga pamja, ashtu edhe nga fqinjët e saj.

Një histori përjashtimi

Qytetarët palestinezë të Izraelit janë përballur prej kohësh me diskriminim sistematik - në strehim, arsim, punësim dhe shërbime shtetërore. Pavarësisht se mbajnë shtetësi izraelite, ata shpesh trajtohen si qytetarë të klasit të dytë, dhe besnikëria e tyre vihet në dyshim rregullisht në diskursin publik.

Sipas Adalahut - Qendrës Ligjore për të Drejtat e Pakicave Arabe në Izrael, më shumë se 65 ligje diskriminojnë drejtpërdrejt ose tërthorazi qytetarët palestinezë. Ligji, i miratuar në vitin 2018, e përforcoi këtë pabarazi duke e përcaktuar Izraelin si “shtetin kombëtar të popullit hebre”, një veprim që kritikët thonë se institucionalizoi aparteidin.

Në kohë lufte, ky diskriminim shpesh intensifikohet.

Qytetarët palestinezë të Izraelit i nënshtrohen shpesh policisë diskriminuese dhe kufizimeve gjatë periudhave të konfliktit, duke përfshirë arrestimin për postime në mediat sociale, mohimin e qasjes në strehimore dhe abuzimin verbal në qytete me popullsi të përziera.

Shumë prej tyre kanë raportuar tashmë se kanë përjetuar një diskriminim të tillë.

Në Haifa, 33-vjeçari Mohammed Dabdoob po punonte në dyqanin e tij të riparimit të celularëve të shtunën në mbrëmje kur telefonat ranë nga raftet njëkohësisht me tingujt e alarmeve, duke shkaktuar ankth tek ai. U përpoq ta përfundonte riparimin e një telefoni të prishur, gjë që e vonoi. Pastaj nxitoi të mbyllte dyqanin dhe vrapoi drejt strehës publike më të afërt, poshtë një ndërtese pas dyqanit të tij. Duke iu afruar strehës, ai e gjeti derën e saj të fortë të mbyllur.

“E provova kodin. Nuk funksionoi. Trokita në derë, u bëra thirrje atyre që ishin brenda të hapnin - në hebraisht - dhe prita. Askush nuk e hapi portën”, tha ai. Pak çaste më vonë, një raketë shpërtheu aty pranë, duke e thyer xhamin matanë rrugës. “Mendova se do të vdisja”.

“Kishte tym dhe britma, dhe pas një çerek ore, e tëra çfarë mund të dëgjonim ishin zhurmat e policisë dhe ambulancës. Skena ishte e tmerrshme, sikur po e jetoja një makth të ngjashëm me atë që ndodhi në Portin e Bejrutit”, shtoi ai, duke iu referuar shpërthimit në portin e Bejrutit në vitin 2020.

I ngrirë nga frika dhe tronditja e plotë, Mohamedi shikonte nga vendi i tij i fshehjes në një parking aty pranë ndërsa kaosi shpalosej, dhe shumë shpejt dera e strehës u hap. Ndërsa ata që ishin brenda strehës, filluan të dilnin njëherësh, ai i shikoi në heshtje.

“Nuk ka siguri të vërtetë për ne”, tha ai. “Jo nga raketat, dhe jo nga njerëzit që supozohet të jenë fqinjët tanë”.

Diskriminimi në qasjen e strehimoreve

Në teori, të gjithë qytetarët e Izraelit duhet të kenë qasje të barabartë në masat e sigurisë publike – duke i përfshirë strehimoret kundër bombave. Në praktikë, pamja është shumë ndryshe.

Qytetet dhe fshatrat palestineze në Izrael kanë dukshëm më pak hapësira të mbrojtura sesa lokalitetet hebraike. Sipas një raporti të vitit 2022 nga Kontrollori Shtetëror i Izraelit, i cituar nga gazeta Haaretz, më shumë se 70 për qind e shtëpive në komunitetet palestineze në Izrael nuk kanë një dhomë ose hapësirë të sigurt që është në përputhje me kodin, krahasuar me 25 për qind të shtëpive hebraike. Bashkitë shpesh marrin më pak fonde për mbrojtjen civile, dhe ndërtesat e vjetra nuk i kanë përforcimet e nevojshme.

Edhe në qytete të përziera si Lydd, ku banorët hebrenj dhe palestinezë jetojnë krah për krah, pabarazia është e theksuar.

Yara Srour, një studente 22-vjeçare e infermierisë në Universitetin Hebraik, jeton në lagjen e lënë pas dore al-Mahatta në Lydd. Ndërtesa trekatëshe e familjes së saj, e cila është rreth katër dekada e vjetër, nuk ka leje zyrtare dhe një strehë. Pas bombardimeve të rënda iraniane që i panë të shtunën në mbrëmje, të cilat tronditën botën përreth tyre, familja u përpoq të dielën herët të ikte në një pjesë më të sigurt të qytetit.

“Ne shkuam në pjesën e re të Lydd ku ka strehimore të duhura”, tha Yara, duke shtuar se nëna e saj 48-vjeçare, e cila ka probleme me këmbë, po luftonte për të lëvizur. “Megjithatë, ata nuk na lanë të hynim. Hebrenjtë nga zonat më të varfra u kthyen, gjithashtu. Ishte vetëm për “banorët e rinj” - ata në ndërtesat moderne, kryesisht familje hebraike të klasës së mesme”.

Yara e kujton tmerrin qartë.

“Nëna ime ka probleme me kyçet dhe nuk mund të vraponte si pjesa tjetër prej nesh”, tha ajo. “Ne po lypnim, duke trokitur në dyer. Por njerëzit thjesht na shikonin përmes vrimave të dritares dhe na injoronin, ndërsa ne shihnim qiellin të ndriçohej nga flakët e raketave”.

Frikë, traumë dhe zemërim

Samar tha se përvoja e largimit nga një strehë me vajzën e saj la një plagë psikologjike.

“Atë natë u ndjeva plotësisht e vetmuar”, tha ajo. “Nuk e raportova në polici - çfarë kuptimi ka? Ata nuk do të kishin bërë asgjë”.

Më vonë atë mbrëmje, një vilë në Tamra u godit, duke i vrarë katër gra nga e njëjta familje. Nga ballkoni i saj, Samar shikoi tymin që ngrihej në qiell.

“Dukej si fundi i botës”, tha ajo. “Dhe ende, edhe nën sulm, ne trajtohemi si kërcënim, jo si njerëz”.

Që atëherë ajo është zhvendosur me vajzën e saj në shtëpinë e prindërve të saj në Daburiyya, një fshat në Galilenë e Poshtme. Së bashku, tani mund të mblidhen në një dhomë të përforcuar. Me alarmet që vinin çdo disa orë, Samar po mendonte të ikte në Jordani.

“Doja ta mbroja Jihanin. Ajo nuk e njeh ende këtë botë. Por, gjithashtu, nuk doja të largohesha nga toka ime. Kjo është dilema për ne - të mbijetojmë, apo të qëndrojmë dhe të vuajmë”.

Ndërsa kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu deklaroi pas sulmeve se raketat e Iranit e synojnë të gjithë Izraelin - hebrenjtë dhe arabët njësoj, realiteti në terren e tregonte një histori tjetër.

Edhe para luftës, qytetarët palestinezë të Izraelit u arrestuan në mënyrë disproporcionale për shprehjen e pikëpamjeve politike ose reagimin ndaj sulmeve. Disa u ndaluan vetëm për postimin e emojive në mediat sociale.

“Shteti e pret besnikërinë tonë në luftë”, tha Mohammed Dabdoob. “Por, kur është koha për të na mbrojtur, ne jemi të padukshëm”.

Për Samarin, Yarën, Mohammedin dhe mijëra si ata, mesazhi është i qartë: ata janë qytetarë në letër, por të huaj në praktikë.

“Dua siguri si kushdo tjetër”, tha Yara. “Po studioj për t’u bërë infermiere. Dua t’i ndihmoj njerëzit. Por si mund t’i shërbej një vendi që nuk do ta mbrojë nënën time?”.