Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Botë

“Situatë e dyshimtë” në një aeroport të Amsterdamit

Aeroporti i Schipholit në Amsterdam / ilustrim

Një paralajmërim i madh i sigurisë është shpallur në aeroportin Schiphol të Amsterdamit në Holandë dhe disa zona janë evakuuar, kanë thënë zyrtarët dhe dëshmitarët.

Megjithatë, për publikun deri më tani janë dhënë shumë pak detaje, por në vend të ngjarjes janë një numër i madh i shërbimeve emergjente, raporton agjencia ndërkombëtare e lajmeve me bazë në Holandë, “BNOnews”.

Sipas kësaj agjencie, incidenti ka nisur rreth orës 19:30 të mërkurën kur shërbimet emergjente janë thirrur për një incident në aeroportin Schiphol, një nga aeroportet më të ngarkuara në Evropë. Policia ushtarake tha se incidenti përfshinë një “situatë të dyshimtë” në brendësi të një aeroplani.

“Është një situatë e dyshimtë dhe kaq mund të them”, ka thënë një zëdhënës i policisë ushtarake, raporton “Telegraph”. Ai nuk pranoi të përmendte emrin e avio-kompanisë së përfshirë apo të japë detaje tjera, transmeton Koha.net.

Është shpallur edhe gjendja “GRIP 3”, e cila zakonisht shpallet kur një incident mund të ketë ndikim në një grup të madh njerëzish. Gjithnjë sipas kësaj agjencie lajmesh, në vend të ngjarjes janë një numër i madh i shërbimeve emergjente, përfshirë policë të armatosur rëndë, ambulanca dhe një helikopter mjekësor.

Burime i kanë thënë televizionit “RTL Nieuws” se situata përfshin një aeroplan në largim të “Air Europe”. Ueb-faqja holandeze e lajmeve “NU” tha se Shërbimet Speciale për Intervenim janë në vend të ngjarjes.

Më pak se 30 minuta pas njoftimit për këtë situatë, është urdhëruar evakuimi në Stacionin Qendror hekurudhor të Utrechtit, që është stacioni më i ngarkuar hekurudhor në vend, kur dikush shtypi alarmin e zjarrit, kanë thënë zyrtarët. Alarmi u anulua pas pak minutash dhe nuk pati ndonjë indikacion se është i lidhur me situatën në Schiphol.

Artikuj të ngjashëm