Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Botë

Sistemit të ri biometrik në kufijtë e BE-së mund t’i duhen deri në dy vjet për t’u stabilizuar

Hyrje-Dalje BE

Foto: Associated Press

Sistemit të ri evropian të hyrje-daljeve (EES), i cili përdor të dhëna biometrike për kontrollin kufitar, mund t’i duhen deri në dy vjet për t’u stabilizuar plotësisht, ka paralajmëruar një zyrtar i Bashkimit Evropian.

Dy muaj pas nisjes së kontrolleve të reja biometrike në kufijtë e zonës Schengen, udhëtarët vazhdojnë të përballen me radhë të gjata dhe procedura jo të njëjta në shtete të ndryshme.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

Uku Sarekanno, zëvendësdrejtor ekzekutiv në Frontex, agjencinë që ndihmon në menaxhimin e kufijve të jashtëm të BE-së, tha se mbledhja e të dhënave biometrike, veçanërisht marrja e shenjave të gishtërinjve nga udhëtarët që nuk janë shtetas të BE-së gjatë hyrjes së tyre të parë në zonën Schengen, është pjesa më sfiduese e zbatimit të sistemit, raportoi të mërkurën “Euronews”.

Sipas tij, situata pritet të stabilizohet brenda një ose dy vjetësh, pasi regjistrimi fillestar i udhëtarëve paraqet vështirësinë më të madhe.

Ai gjithashtu kritikoi rastet kur disa udhëtarëve u është kërkuar të japin gjurmët e gishtërinjve edhe pas vizitës së parë, ndonëse kjo nuk parashihet nga politikat e EES-së.

Një nga problemet kryesore të zbatimit të sistemit ka qenë qasja e ndryshme e shteteve në implementimin e tij. Sipas Frontex-it, disa vende po e menaxhojnë procesin mirë dhe kanë angazhuar burime të posaçme për ndjekjen e procedurave, ndërsa të tjera ende po hasin vështirësi.

Që nga mesi i prillit, EES është dashur të zbatohet plotësisht në të gjithë kufijtë e zonës Schengen, por në destinacione të njohura turistike si Spanja, Portugalia dhe Franca janë raportuar pritje të gjata.

Ndërkohë, nuk ka plane për t’u lejuar shteteve që të pezullojnë përkohësisht procedurat e EES-së gjatë periudhave me fluks të lartë udhëtarësh për të lehtësuar radhët në kufi.

Megjithatë, përfaqësuesi i Frontex-it tha se shpreson që deri në muajin shtator problemet kryesore të sistemit të jenë zgjidhur.