Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Botë

Siriani i armatosur sulmon Ambasadën amerikane në Bejrut

ambasada amerikane në Bejrut

Ushtria libaneze tha të mërkurën se një person i armatosur ka sulmuar ambasadën e Shteteve të Bashkuara (SHBA) në Bejrut, shkruan AP.

Ushtria libaneze tha në një deklaratë se ushtria qëlloi sulmuesin, të cilin ata e përshkruan vetëm si shtetas sirian. Sulmuesi u dërgua në spital i plagosur.

Mediat lokale raportuan se të shtënat rreth misionit diplomatik amerikan në veri të Bejrutit zgjatën për gati gjysmë ore.

Ambasada amerikane tha se sulmi i mëngjesit në hyrje të ambasadës nuk shkaktoi viktima në stafin e tyre.

Motivet e sulmit nuk u bënë të ditura. Megjithatë, mediat libaneze kanë publikuar fotografi që duket se tregojnë një sulmues të gjakosur i veshur me një jelek të zi me fjalët "Shteti Islamik" të shkruara në arabisht dhe inicialet në anglisht "I" dhe "S".

Edhe Izraeli sulmon Bejrutin në prag të një marrëveshjeje SHBA-Iran Botë Izraeli sulmon Bejrutin në prag të një marrëveshjeje SHBA-Iran

Një zyrtar libanez i sigurisë, në kushte anonimiteti tha për Associated Press se kishte katër sulmues, duke përfshirë një që i çoi të armatosurit në vend dhe tre që sulmuan me armë zjarri.

Një sulmues u vra, një u arratis dhe i treti u plagos dhe u arrestua nga ushtria libaneze.

Ushtria libaneze tha se kishte dislokuar trupa rreth ambasadës dhe zonave përreth.

Në vitin 1983, një sulm vdekjeprurës me bombë në Ambasadën e SHBA-së në Bejrut vrau 63 persona. Për sulmin, zyrtarët amerikanë fajësojnë grupin militant libanez Hezbollah.

Pas atij sulmi, ambasada u zhvendos nga Bejruti qendror në veri të kryeqytetit.

Një tjetër sulm me bombë goditi vendndodhjen e re më 20 shtator 1984.

Në shtator 2023, forcat libaneze të sigurisë arrestuan një libanez që hapi zjarr në ambasadën e SHBA-së.

Edhe Sulme ajrore në Bejrut, disa të vdekur Botë Sulme ajrore në Bejrut, disa të vdekur

Në atë sulm nuk pati viktima.

Në tetor 2023, qindra protestues u përleshën me forcat libaneze të sigurisë në demonstrata pranë Ambasadës së SHBA-së, në mbështetje të popullit në Gazë dhe Hamasit - grupit palestinez të shpallur organizatë terroriste nga SHBA dhe Bashkimi Evropian - në luftën e tij me Izraelin. /REL