Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Botë

“Si zonë lufte” – mbi 100 të vdekur nga rrëshqitjet

Wendel Pio Lourenco, banor 24-vjeçar, po ecte nëpër rrugë me një televizor në krah, duke shkuar në kishën lokale në kërkim të strehimit. "Kam gjetur një vajzë që u varros për së gjalli", tha ai

Punonjësit e shpëtimit po luftojnë me kohën, duke kërkuar ndonjë të mbijetuar mes baltës dhe rrënojave, pasi përmbytjet shkatërruese dhe rrëshqitjet e dheut goditën qytetin piktoresk brazilian Petropolis, ndërsa autoritetet njoftuan, të enjten, se numri i të vdekurve ishte rritur në 105.

Rrugët u shndërruan në lumenj dhe shtëpitë u shkatërruan kur stuhitë e forta sollën reshje shiu të një muaji për tri orë në qytetin piktoresk turistik në kodrat në veri të Rio de Zhaneiros, shkruan “Al-Jazeera”.

Thirrjet për ndihmë

Me dhjetëra ende të raportuar si të zhdukur, frika se numri i të vdekurve mund të rritet më tej, bëri që zjarrfikësit dhe vullnetarët të përpiqeshin fort nëpër mbetjet e shtëpive të shpërndara nga përrenjtë e baltës, shumë prej tyre në lagjet e varfra të kodrës.

Qeveria e shtetit tha se të paktën 24 njerëz ishin shpëtuar.

Duke përdorur qen, ekskavatorë dhe helikopterë, punonjësit e shpëtimit po kërkonin urgjentisht për më shumë para se të ishte tepër vonë, me zyrën e prokurorit publik të Rios që raportoi se 35 persona ishin regjistruar të zhdukur.

Rreth 300 njerëz po strehoheshin në strehimore, kryesisht në shkolla, thanë zyrtarët. Organizatat bamirëse kërkuan donacione të dyshekëve, ushqimit, ujit, veshjeve dhe maskave të fytyrës për viktimat.

Wendel Pio Lourenco, banor 24-vjeçar, po ecte nëpër rrugë me një televizor në krah, duke shkuar në kishën lokale në kërkim të strehimit.

Ai tha se po përpiqej të shpëtonte disa plaçka, pasi kaloi një natë pa gjumë duke ndihmuar në kërkimin e viktimave.

"Kam gjetur një vajzë që u varros për së gjalli", tha ai. "Të gjithë thonë se duket si një zonë lufte”, ka shtuar ai për “Al-Jazeeran”.

Të njëjtën gjë tha edhe guvernatori Claudio Castro pasi vizitoi vendin e ngjarjes.

“Duket si një skenë nga një luftë. Është e pabesueshme”, tha ai, duke shtuar se ishte shiu më i keq që nga viti 1932.

Ai i vlerësoi punonjësit e shpëtimit që arritën "të shpëtonin një numër të madh njerëzish para se të ishte tepër vonë".

"Tragjedi"

Videot e postuara në mediat sociale nga shirat e së martës treguan rrugët në Petropolis, kryeqytetin veror të shekullit të 19-të të Perandorisë braziliane, të mbushura me përmbytje që rrënuan makinat, pemët dhe pothuajse çdo gjë tjetër në shtigjet e tyre.

Shumë dyqane u përmbytën nga uji në rritje, i cili shpërtheu në rrugët e qendrës historike të qytetit, duke lënë pas grumbuj të ngatërruar makinash të përmbysura, raporton “Al-Jazeera”.

Zyrtarët thanë se më shumë se 180 zjarrfikës dhe punonjës të tjerë të shpëtimit po i përgjigjeshin urgjencës, të ndihmuar nga 400 ushtarë të dërguar si përforcime. Këshilli i qytetit shpalli tri ditë zie për viktimat.

Petropolis është destinacion popullor për turistët që ikin nga vapa e verës së Rios.

Zona është e njohur për rrugët e saj plot gjethe, shtëpitë madhështore, pallatin perandorak - sot një muze - dhe bukurinë natyrore të maleve përreth.

Stuhitë e së martës hodhën 258 milimetra shi në qytet për tri orë, pothuajse e barabartë me reshjet totale në muajin e kaluar, tha zyra e kryetarit të qytetit.

Presidenti Jair Bolsonaro, në një udhëtim zyrtar në Rusi, tha se mbështet të prekurit nga tragjedia.

“Faleminderit për fjalët tuaja të solidaritetit me popullin e Petropolisit”, i tha ai presidentit Vladimir Putin pas takimit me liderin rus. “Zoti i ngushëlloftë familjet e viktimave”.

Brazili është përfshirë nga shira të dendura që nga dhjetori, të cilat kanë shkaktuar një sërë përmbytjesh vdekjeprurëse dhe rrëshqitje dheu, shkruan “Al-Jazeera”.

Ekspertët thonë se reshjet e sezonit të shirave po shtohen nga La Nina – ftohja ciklike e Oqeanit Paqësor – dhe nga ndikimi i ndryshimeve klimatike. \Al Jazeera

Artikuj të ngjashëm