“Ka shumë konflikte që duam t'u japim fund, por natyra e luftës është e ndryshueshme, duke i bërë më të vështirë zgjidhjen dhe paqen. Luftërat mund të përfundojnë me plagë të thella që do të çojnë në më shumë agjitacion në të ardhmen, siç është konflikti në Bosnjë”, shkruan Giovanni, hulumtuese e lartë në Institutin për Çështje Globale në Universitetin e Yalet. “Përndryshe, ato luftëra do të ringjallen në mënyrë të pashmangshme dhe të tmerrshme”
Luftërat kurrë nuk përshtaten mjeshtërisht në shabllone të pastra. Por ne mund t’i ndajmë ato në kategori të caktuara: luftëra pushtuese, luftëra civile, luftëra rebele, luftëra kryengritëse, luftëra fetare. Historia e fundit ishte gjithashtu dëshmitare e luftërave të ndërmjetësuara, luftëra parandaluese, luftëra të ndryshimit të regjimit dhe luftë globale pas 9/11 kundër terrorizmit, të përqendruar në Afganistan dhe Irak. Filozofi i politikës, Michael Walzer, shkoi një hap më tej kur u përpoq të përcaktojë argumentet morale prapa luftës, duke i ndarë ato në luftëra "të drejta" dhe "të padrejta" - domethënë, luftëra që duhen bërë mbi baza humanitare dhe johumanitare, shkruan Janine di Giovanni, kolumniste në revistën amerikane “Foreign Policy”. Në shkrimin e saj, “Si mbarojnë luftërat”, ajo e vlerëson si shumë të rëndësishëm analizën e përfundimit të luftërave.
“Ka shumë konflikte që duam t’u japim fund, por natyra e luftës është e ndryshueshme, duke i bërë më të vështirë zgjidhjen dhe paqen. Luftërat mund të përfundojnë me plagë të thella që do të çojnë në më shumë agjitacion në të ardhmen, siç është konflikti në Bosnjë”, shkruan Giovanni, hulumtuese e lartë në Institutin për Çështje Globale në Universitetin e Yalet, “Jackson”. “Ose mund të shërohen në një mënyrë relativisht paqësore. Me një luftë në Siri dhe një të ardhme të pasigurt për Afganistanin, si dhe konflikte të vazhdueshme në Jemen, Etiopi, Somali, Sahel, Libi, Venezuelë dhe gjetkë, ka kuptim të hedhim një vështrim më të afërt se si luftërat mund të përfundojnë në mënyrë efektive. Një prej tyre është kur ekziston vullnet i fortë për t’iu dhënë fund konflikteve. Një tjetër është zhvillimi relativisht i ri i negociatave ndërkombëtare, një mekanizëm i njohur në diplomaci si ‘diplomacia dydrejtimëshe’”.
Një shembull shumë udhëzues i përdorimit të vullnetit për t'i dhënë fund një lufte është ai që edhe lexuesit mund të mos e kujtojnë. Në Sierra Leone, një ndërhyrje e suksesshme ushtarake britanike për t’i dhënë fund një lufte brutale atje u krye në majin e vitit 2000. Kjo luftë u karakterizua nga abuzime të tmerrshme të të drejtave të njeriut, përfshirë amputime të kryera ndaj civilëve, përdhunime masive, tortura dhe djegie të fshatrave të tërë. Më shumë se 50.000 civilë u vranë deri kur forcat britanike mbërritën në ish-koloninë e tyre.
Suksesi i “refleksit të ushtarit”
Brigadieri i Ushtrisë britanike, David Richards - i cili do të vazhdonte të komandonte forcat e NATO-s në Afganistan dhe të bëhej ushtaraku më i lartë i vendit të tij - mbërriti kur kryeqyteti, Freetown, ishte gati të binte në duart e Frontit të Bashkuar Revolucionar (RUF). Pa sanksione zyrtare nga eprorët e tij në Londër, Richards parandaloi një kërdi të gjithanshme.
“Richardsi më vonë do të thoshte se ai veproi në refleksin e një ushtari natyror për të mbrojtur civilët e tmerruar. Trupat e tij siguruan aeroportin dhe shtynë prapa RUF-in. Ai krijoi zona të sigurta për civilët, një nga veprimet për të cilin ai më pas u adhurua nga popullata lokale, e cila vendosi tabela në të gjithë qytetin me parullën ‘Richards për president’”, shkruan Giovanni, fituese e shumë shpërblimeve për gazetari.
“Richardsi hyri në xhungël për t'u takuar me zotë luftërash, duke i bindur ata të bashkoheshin së bashku për të luftuar RUF-in. Ai më pas arriti t’i bindte të gjitha palët, përfshirë RUF-in, se rezultati më i mirë për të gjithë ishte fundi i luftimeve. Kur lufta mbaroi, Richardsi dhe njerëzit e tij u ngarkuan të çarmatosnin fraksionet e ndryshme dhe të stërvitnin ushtrinë e re të Sierra Leone”.
Strategjia e Richardsit u vlerësua si e suksesshme për shkak se u bazua kryekëput në shpëtimin e jetës së civilëve. Përfundimi i luftës nuk u pri nga arsye komerciale ose strategjike si lufta e Irakut, qetësimi i palëve të gabuara, si konflikti i Bosnjës ose kryesisht për arsye të brendshme politike, rasti i luftës në Afganistan.
Ndërhyrjet humanitare, meqë shpesh të njëanshme si në Sierra Leone, nuk ishin gjithmonë në përputhje me të drejtën ndërkombëtare. Në të vërtetë, sistemi i së drejtës ndërkombëtare me Kombet e Bashkuara në majën e tij ka dështuar të mundësojë ndërhyrje humanitare deri më sot. Vetëm Këshilli i Sigurimit i OKB-së ka legjitimitetin të urdhërojë një ndërhyrje - dhe fuqia e vetos mund të përdoret për t’i mbrojtur edhe shtetet kliente që kryejnë gjenocid.
Në të vërtetë, natyra e së drejtës ndërkombëtare, sistemi i OKB-së, dhe veçanërisht Këshilli i Sigurimit i OKB-së, shpesh lehtëson qëndrimin kundër ndërhyrjeve humanitare dhe paqes së qëndrueshme. Andrew Gilmour, drejtor ekzekutiv i Fondacionit Berghof me qendër në Berlin, tha për “Foreign Policy” se kjo vjen si rezultat i asaj që ai e quajti “sjellje të tmerrshme” të fuqisë së vetos, e cila “gjithnjë e më shumë parandalon marrëveshjen, përfshirë mënyrën se si mund të veprojë vetë OKB-ja” për parandalimin ose përfundimin e luftërave.
Sfida siriane
Të gjitha këto çështje vijnë në qendër të vëmendjes në Siri, ku lufta përfundimisht do të përfundojë dhe një vend i prishur do të duhet të rindërtohet. Konflikt vrasës nuk mund të përfundojë shpejt, por mënyra se si përfundon është po aq e rëndësishme sa edhe kur. A mund të binden të gjitha palët se paqja është në interesin e tyre? Apo do të arrijnë ata në një marrëveshje të gabuar që e mban gjallë të kaluarën e hidhur? Me gjysmë milioni sirianë të vdekur dhe miliona refugjatë, a do të ketë ndonjë lloj drejtësie transicionale? A do të hiqen sanksionet për ta ndihmuar një popullsi të uritur - por për të ndihmuar një vrasës masiv, presidentin Sirian Bashar al-Assad?
“Me luftën në vazhdim dhe pa ndonjë zgjidhje të negociuar në sy, rruga drejt paqes së qëndrueshme mund të kërkojë shqyrtimin dhe rishikimin e procesit tradicional të negociatave për të bërë bashkë palët e konfliktit dhe fuqitë e jashtme përkatëse me shpresën për të arritur një marrëveshje zyrtare”, shkruan Giovanni në FP.
Në Siri, për shembull, negociatat kanë përfshirë përfaqësues nga disa nga palët e konfliktit përveç ndërmjetësuesve të jashtëm - Kombet e Bashkuara dhe, kohët e fundit, Rusia. Por ky proces ka përjashtuar jo vetëm aktorët kryesorë sirianë, por edhe aktorët joshtetërorë që kanë një interes në rezultatin dhe mund të ndihmojnë në zbatimin e paqes, të tilla si organizatat joqeveritare, udhëheqësit fetarë, grupet e shoqërisë civile dhe qytetarët privatë. Disa palë të konfliktit përjashtohen nga negociatat jashtë të gjitha parimeve - të tilla si kur diplomatët thonë se nuk do të flasin me terroristët.
Arsyeja për të përfshirë të gjitha këto palë është se shumë prej tyre - udhëheqës të bazuar në besim, grupe të grave, aktivistë të komunitetit - mbajnë çelësin e procesit të paqeruajtjes. Jo vetëm pse ata kanë qasje në pushtet në nivele të rëndësishme. Ata janë gjithashtu ata që do të jetojnë në shoqërinë pas konfliktit, jo diplomatët që hedhin parashutën për një ose dy seanca negociuese.
Kjo është ajo ku diplomacia dydrejtimëshe, një term i shpikur nga diplomati amerikan, Joseph Montville më 1981, hyn në lojë. “Kjo lloj diplomacie, e bërë në mënyrë joformale, hedh rrjetin më gjerë te palët që janë sjellë në tryezë. Shpesh bëhet në fshehtësi, në mënyrë që të transmetohen të gjitha shqetësimet. Jashtë vëmendjes së mediave dhe larg politikës publike, këto biseda joformale nuk thirren nga OKB-ja ose fuqitë e mëdha si Rusia, por shpesh nga OJQ-të dhe institucionet e tjera neutrale që janë specializuar në zgjidhjen e konflikteve”, shkruan revista amerikane e politikës së jashtme.
Ndikimi i “diplomacisë së prapaskenës”
Randa Slim, drejtoresha e Programit të Zgjidhjes së Konfliktit dhe Dialogjeve të Gjurmës II në Institutin e Lindjes së Mesme me qendër në Uashington, ndihmoi në lehtësimin e kontakteve të tilla prapa skenës në vitet 1990 në Taxhikistan, ku qeveria po luftonte me një kryengritje islamike. Kur ajo filloi punën e saj, ishte ndër herët e para që një qeveri post-sovjetike po bisedonte me islamikët - pa përfshirjen e të cilëve paqja kishte pak mundësi. Slim tha se procesi ishte i ngadaltë në fillim dhe se shpesh zhgënjyes, por rezultoi në progres të madh. Ajo dhe ekipi i saj krijuan kanalin që hodhi bazat për një proces politik zyrtar, të ndërmjetësuar nga OKB-ja. Të dyja shtigjet, zyrtare dhe jozyrtare, vazhduan punën në koordinim të ngushtë me njëri-tjetrin, duke rezultuar përfundimisht në një marrëveshje paqeje më 1997. Slim përmendi këto bisedime si një shembull i mirë i asaj që mund të bëjë diplomacia dydrejtimëshe dhe si mund të bashkohen të dyja shtigjet.
Nëse kjo formë diplomacie premton rezultate reale, pse nuk përdoret më shumë? Sipas bisedave të Giovannit me negociatorët që merren me bisedimet në prapaskenë në Jemen, Libi dhe Siri, një nga përgjigjet është se ajo kërkon kohë. “Kërkon më shumë dialog dhe ndërmjetësim, sesa paqeruajtja tradicionale. Kërkon ekspertë që e njohin mirë vendin dhe janë të përkushtuar për të krijuar një paqe të qëndrueshme, jo burokratë që duan vetëm një marrëveshje të nënshkruar. Kërkon besim dhe fshehtësi. Merr parasysh abuzimet e të drejtave të njeriut dhe drejtësinë që duhet të vihet në vend”, shkruan Giovanni.
Luftërat nuk përfundojnë gjithmonë me fitore. Ato sigurisht se përfundojnë me vende të shkatërruara dhe popullsi të traumatizuar. Krijimi i një paqeje të qëndrueshme kërkon që të mbijetuarit e një tmerri të tillë të njihen, qoftë përmes drejtësisë rikuperuese apo transicionale. Dëmi i shkaktuar nga krimet e luftës duhet të riparohet gjithmonë. Përndryshe, ato luftëra do të ringjallen në mënyrë të pashmangshme dhe të tmerrshme’ e mbyll shkrimin studiuesja Giovani, autore e librit “The Morning They Came for Us: Disptaches From Syria”, përkthyer në 28 gjuhë të botës.
Përgatiti: Rexhep Maloku