Botë

Evropa e izolon Britaninë pas shpërthimit të ri të virusit

Ndërkohë, ministri i Jashtëm italian ka treguar planet e qeverisë së tij për t’i ndaluar fluturimet. Franca dhe Gjermania thuhet se po planifikojnë veprim të ngjashëm. Vendime të tilla vijnë pasi një variant i ri i koronavirusit është përhapur me shpejtësi në Londër dhe Angli Juglindore

Londër, 20 dhjetor (Reuters) - Një numër vendesh evropiane kanë ndaluar ose po konsiderojnë të ndalojnë udhëtimin nga Mbretëria e Bashkuar për të parandaluar përhapjen e një varianti më infektiv të koronavirusit. Në mesin e tyre, sipas BBC-së, Holanda dhe Belgjika kanë pezulluar fluturimet. Trenat për në Belgjikë gjithashtu janë ndaluar.

Ndërkohë, ministri i Jashtëm italian ka treguar planet e qeverisë së tij për të ndaluar fluturimet. Franca dhe Gjermania thuhet se po planifikojnë veprim të ngjashëm.

Vendime të tilla vijnë pasi një variant i ri i koronavirusit është përhapur me shpejtësi në Londër dhe Angli Juglindore.

Reagime rreth variantit të ri kanë ardhur edhe nga brenda Mbretërisë së Bashkuar. Kryeministri Boris Johnson prezantoi të shtunën një nivel të ri të kufizimeve, duke hequr një zbutje të planifikuar të rregullave gjatë periudhës së Krishtlindjes për miliona njerëz.

Zyrtarët e lartë të shëndetësisë thanë se nuk kishte prova se varianti i ri ishte më vdekjeprurës, ose do të reagonte ndryshe ndaj vaksinave, por po provonte të ishte deri në 70% më i transmetueshëm.

Brenda disa orësh nga njoftimi i Mbretërisë së Bashkuar, Holanda tha se do t’i ndalonte të gjitha fluturimet e pasagjerëve nga Mbretëria e Bashkuar nga 06:00 të dielën deri më 1 janar.

Në pritje të “qartësisë më të madhe” mbi situatën në Mbretërinë e Bashkuar, Qeveria holandeze tha se më tej “rreziku i llojit të ri të virusit që futet në Holandë duhet të minimizohet sa më shumë që të jetë e mundur”.

Ky vend, gjithashtu, tha se do të punojë me vendet e tjera anëtare të Bashkimit Evropian në ditët e ardhshme për ta “shqyrtuar hapësirën për kufizimin e mëtejshëm të rrezikut të llojit të ri të virusit që do të sjellë nga Mbretëria e Bashkuar”.

Belgjika po i pezullon fluturimet dhe mbërritjet e trenave nga Britania e Madhe nga mesnata të dielën.

Kryeministri Alexander De Croo i tha kanalit televiziv belg VRT se ndalimi do të ishte në fuqi për të paktën 24 orë dhe “është një masë paraprake”, duke shtuar “ne do të shohim më vonë nëse kemi nevojë për masa shtesë”.

Ndërkohë, ministri i Jashtëm i Italisë, Luigi Di Maio, tha në faqen e tij në Facebook se qeveria ishte gati të nënshkruante një masë për t’i pezulluar fluturimet nga Mbretëria e Bashkuar.

Në Gjermani, një zyrtar i Ministrisë së Shëndetësisë i tha agjencisë së lajmeve AFP se qeveria po konsideronte gjithashtu ndalimin e fluturimeve nga Mbretëria e Bashkuar dhe Afrika e Jugut, ku gjithashtu është zbuluar varianti.

Zyrtari tha se Qeveria gjermane po monitoronte zhvillimet në Britani dhe po punonte në “presion të lartë” për t’i vlerësuar informacionin dhe të dhënat e reja në lidhje me variantin e ri.

Kanali francez i lajmeve, BFMTV, raportoi se edhe Franca ishte “seriozisht” duke konsideruar pezullimin e fluturimeve dhe trenave nga Britania dhe qeveria është “në kërkim të koordinimit evropian”.

“Një vendim do të shpallet gjatë natës”, tha kanali.