Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Botë

Shtetet e ndryshme po evakuojnë qytetarët e tyre nga Sudani

Britania e Madhe ka këmbëngulur se po bën çmos për të ndihmuar shtetasit britanikë të kurthuar në Sudan, pasi diplomatët dhe familjet e tyre janë shpëtuar të dielën.

Qeveria e shtetit ishullor ka bërë të ditur se rreth katër mijë britanikë ndodhen në shtetin afrikan, por shifra reale mund të jetë edhe më e lartë, raportojnë mediat e Mbretërisë së Bashkuar.

Luftimet ndërmjet dy forcave rivale kanë rezultuar me të vrarë dhe me granatime që kanë marrë jetën e shumë sudanezëve të pafajshëm në kryeqytetin Hartum pas më shumë s enjë javësh.

Shtetet anëtare të Bashkimit Evropian kanë diskutuar krizën në Sudan.

“Jemi shumë të shqetësuar për zhvillimet e atjeshme. Mirëpresim reagimin dhe koordinimin e shpejtë dhe të vendosur për evakuimin e qytetarëve tanë”, ka thënë ministri i Jashtëm i Kroacisë, Gordan Grliq-Radman.

Franca, Gjermania, Italia dhe Spanja kanë evakuuar diplomatët dhe shtetasit e tyre nga Sudani. Por qeveritë e vendeve të ndryshme kanë pranuar se po përballen me vështirësi për largimin e të gjithë shtetasve të tyre nga vendi derisa të arrihet një ujdi për armëpushim.

“Ka pasur një fundjavë të gjatë dhe të ngarkuar, duke u munduar të nxjerrim të gjithë njerëzit tanë nga Sudan. Ka pasur një operacion të ndërlikuar dhe ka qenë i suksesshëm. Së pari, 21 anëtarë të personelit të Bashkimit Evropian tashmë janë në Evropë. Dhe shumë qytetarë të Bashkimit Evropian janë nxjerrë nga Sudani”, është shprehur shefi i Politikës së Jashtme i Bashkimit Evropian, Josep Borrell.

Edhe OKB: Mbi 100 mijë persona kanë ikur nga Sudani që nga fillimi i luftimeve Botë OKB: Mbi 100 mijë persona kanë ikur nga Sudani që nga fillimi i luftimeve

Diplomatët dhe familjet e ndërkombëtarëve po përballen me kërcënime dhe dhunë të drejtuar qëllimisht kundër tyre, ka bërë të ditur Qeveria britanike.

Një biznesmen britanik që jeton në Sudan ka thënë se situata është përshkallëzuar në një tmerr të vërtetë për këdo që ka ngelur në kryeqytetin sudanez.

Janë parë autobusë të mbushur me njerëz duke kaluar të hënën kufirin ndërmjet Sudanit dhe Egjiptit. Njerëzit po vazhdojnë të largohen nga vendi pasi intensifikimit të luftimeve ndërmjet grupeve rivale të gjeneralëve.