Botë

Shpërthim në një klub nate në Baku, një i vdekur e 37 të lënduar

Së paku një person ka vdekur dhe janë lënduar 37 tjerë pas një shpërthimi masiv në një klub nate në kryeqendrën e Azerbajxhanit, Baku, raporton “Daily Mail”.

Në videot shihen persona të lënduar të shtrirë në rrugë jashtë ndërtesës në Baku. Dyshohet se arsye e shpërthimit është rrjedhja e gazit.

24 prej të lënduarve janë dërguar në spital me djegie, është thënë nga Ministria e Shëndetësisë së Azerbajxhanit.

Sipas Zyrës së Prokurorit të Përgjithshëm të Azerbajxhanit, një rrjedhje gazi shkaktoi shpërthimin.

Ngjarja raportohet se ka ndodhur të dielën rreth orës 3 të mëngjesit.