Botë

Shndërrimi i zonave urbane në rurale

Sipas kritereve të reja, më shumë se 1.300 qytete të vogla, qyteza e fshatra të përcaktuara si urbane një dekadë më parë do të konsiderohen rurale

Qindra zona urbane në SHBA po bëhen rurale, mirëpo kjo nuk po ndodh si shkak që njerëzit po largohen.

Thjesht, Byroja e Regjistrimit në SHBA po e ndryshon përkufizimin e zonës urbane. Sipas kritereve të reja, më shumë se 1.300 qytete të vogla, qyteza e fshatra të përcaktuara si urbane një dekadë më parë do të konsiderohen rurale.

Shqetësimi i komuniteteve

Kjo luan rol të rëndësishëm, ngaqë zonat urbane e rurale kualifikohen për lloje të ndryshme të financimit federal. Disa komunitete shqetësohen se ndryshimi mund t’i prekë klinikat shëndetësore në zonat rurale, si dhe financimin e transportit dhe arsimit nga programet federale. Mirëpo udhëheqësit në komunitetet e tjera të përcaktuara për ta humbur statusin urban thonë se kjo nuk do të përbëjë ndryshim.

“Jemi fshatarë dhe ndihemi të tillë, kjo është mënyra se si ne identifikohemi tashmë”, ka theksuar Randy Reeg, administrator i qytetit Mauston, Wisconsin, qytet me afro 4.347 banorë, rreth 120 kilometra në veriperëndim të Madisonit.

Grupe si Shoqata Amerikane e Spitaleve kanë bërë të ditur se ndryshimet, të cilat janë më të mëdhatë që po u bëhen përkufizimeve në dekada, mund të shkaktojnë probleme për njerëzit që kanë nevojë për kujdes mjekësor në zonat rurale.

“Vazhdimi me përkufizimin e ri mund ta limitojë numrin e klinikave shëndetësore rurale që ecin përpara, e kjo mund të ketë ndikim negativ në qasjen rurale ndaj kujdesit”, është shprehur Shannon Wu, drejtor i lartë i politikave në shoqatën e spitaleve.

Si fillim, Byroja e Regjistrimit po kalon në njësi banimi në vend të njerëzve si bazë për llogaritjen e asaj që duhet të jetë zonë urbane. Zyrtarët e Byrosë kanë thënë se ndryshimi do ta bëjë më të lehtë përditësimin midis numrit të njerëzve të SHBA-së një herë në dekadë. Ata po ashtu pretendojnë se ndryshimi është i nevojshëm, ngase një metodë e re e privatësisë fut gabime në numrat e popullsisë të regjistrimit të vitit 2020 në gjeografi të vogla për ta mbrojtur identitetin e njerëzve. Numrat e banesave mbeten të sakta sipas metodës.

Një vend duhej t’i kishte të paktën 2.500 banorë për të qenë urbanë sipas kritereve të vjetra që zgjatën më shumë se një shekull. Tani do t’i duhen të paktën 2.000 njësi banimi, ekuivalente me rreth 5.000 banorë. Një listë e rishikuar e zonave urbane nuk do të publikohet deri në fund të këtij viti, mirëpo një e treta e zonave të konsideruara urbane një dekadë më parë do të futen në kategorinë rurale sipas kritereve të reja.

Image
Ridizajnimi i hap byrosë rrugë për ta bërë dallimin mes “bërthamës urbane” dhe zonave më pak të populluara

Eliminimi i dallimeve

Vendet me 50.000 banorë ose me shumë u konsideruan “zona të urbanizuara”, në krahasim me “grupet urbane”, që kishin midis 2.500 dhe 49.999 banorë në të kaluarën. Mirëpo këto dallime do të eliminohen dhe të gjitha do të quhen zona urbane sipas përcaktimit të ri.

Disa komunitete shqetësohen se kalimi në njësi banimi do të bëjë që disa zona të nënvlerësohen nëse Byroja e Regjistrimit përdor mesataren e SHBA-së prej 2.6 personash për familje dhe për llogaritjet e saj. Për shembull, Madera County, Kaliforni, ka 3.3 njerëz për familje dhe ndryshimi “nuk do ta përfaqësonte plotësisht komunitetin”, ka theksuar Patricia Taylor, drejtore ekzekutive e Komisionit të Transportit të Qarkut Madera, në letrën drejtuar byrosë vitin e kaluar.

Byroja e Regjistrimit ka njoftuar se përkufizimi i ri duhet të përdoret vetëm për qëllime statistikore. Ama, zonat urbane të byrosë formojnë bërthamat e zonave metro dhe mikro, e përkufizimet e saj ofrojnë bazën për mënyrën se si agjencitë e tjera i klasifikojnë zonat urbane dhe rurale në përcaktimin e përshtatshmërisë për financim federal. Byroja rishikon përkufizimet çdo dhjetë vjet pas regjistrimit, kurse popullsia urbane është rritur nga rreth 45% e popullsisë totale të SHBA-së në vitin 1910 në më shumë se 80% nga një dekadë më parë.

“Kemi dëgjuar njerëz që thonë se numri prej 2.500 banorësh është i ulët. Kjo ishte shtysë për rritjen”, ka treguar Michael Ratcliffe, gjeograf në Byronë e Regjistrimit.

“Kompromis adekuat”

Programe të ndryshme federale përdorin përkufizime të ndryshme për urbanen e ruralen, madje disa komunitete kualifikohen për financim rural për disa programe dhe jo për të tjerët. Për çdo ndryshim “do të ketë implikime të rëndësishme për shumë grupe e komunitete”, ka thënë Kenneth Johnson, demograf në Universitetin e New Hampshire, që merret me studimin e çështjeve rurale.

“Shqetësim tjetër i mundshëm për shumë komunitete rurale është se nëse shumë zona urbane ekzistuese ripërcaktohen si rurale, konkurrenca për fondet e kufizuara rurale do të rritet”, ka shpjeguar Johnson.

Një koalicion shoqatash që përfaqësojnë qytete, qarqe, planifikues e grupe transporti kishin kundërshtuar shumë prej ndryshimeve të propozuara vitin e kaluar, duke thënë se kalimi nga njerëzit në njësi banimi do t’i humbiste ndryshimet në modelet e zhvillimit dhe përdorimit të tokës.

Byroja e Regjistrimit u përpoq t’i adresonte këto shqetësime duke krijuar tri nivele të përkufizimeve të zonave urbane për blloqet e regjistrimit, të cilat janë njësia më e vogël gjeografike e vendit. Blloqet e regjistrimit do të jenë urbane nëse kanë 425 njësi banimi për milje katrore, ekuivalente me 1.105 persona. Para ndryshimit, blloqet e regjistrimit me të paktën 500 njerëz për milje katror konsideroheshin urbane.

Ridizajnimi i hap byrosë rrugë për ta bërë dallimin mes “bërthamës urbane” dhe zonave më pak të populluara, zakonisht në skajet e zonave urbane.

Bill Keyrouze, drejtor ekzekutiv i Shoqatës së Organizatave të Planifikimit Metropolitan, ka vënë në dukje se rishikimet e Byrosë së Regjistrimit, duke shtuar nivele të ndryshme të zonave urbane bazuar në dendësi, “ishte kompromis adekuat”.

Për qytetin DeMotte, Indiana, 135 kilometra në jugperëndim të South Bend, i cili nuk do të kualifikohet më si zonë urbane, nuk ka shumë rëndësi nga pikëpamja “statusi”, është shprehur drejtori i qytetit Michael Cain.

“Jeni ata që jeni. Numri i njerëzve nuk çon peshë. Është shpirti i komunitetit që ka rëndësi, kur qyteti juaj është grup kohëziv njerëzish që kujdesen për njëri- tjetrin”, ka theksuar Cain.

Përktheu: Blerta Haxhiu