Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Botë

Shkurtimet në oksigjen kërcënojnë “kolaps total” për dhjetëra sisteme shëndetësore

Dhjetëra shtete po përballen me shkurtime të oksigjenit për shkak të rritjes së rasteve me COVID-19, duke kërcënuar “kolaps total” të sistemeve shëndetësore.

Byroja e Gazetarisë Hulumtuese ka analizuar të dhënat nga disa organizata për të gjetur shtetet më në rrezik të shkurtimit të oksigjenit. Po ashtu ka studiuar shkallën e vaksinimit në nivel global.

19 shtete rreth botës – përfshirë Indinë, Argjentinën, Iranin, Nepalin, Filipinet, Pakistanin, Kosta Rikën, Ekuadorin dhe Afrikën Jugore – janë më të rrezikuarat pasi kanë regjistruar rritje të lartë të rasteve që nga marsi – të paktën 20 për qind rritje – derisa kanë vaksinuar më pak se 20 për qind të popullatës së tyre.

Ka shqetësime se shtetet e tjera aziatike, si Laosi, janë në rrezik dhe shtetet afrikane si Nigeria, Etiopia, Malavia dhe Zimbabwe, të cilat kanë sisteme më të dobëta të shpërndarjes së oksigjenit, nënkupton se një rritje e vogël e nevojës mund të krijojë probleme të mëdha, shkruan The Guardian.

Shumë nga këto shtete janë përballur me shkurtime në oksigjen para pandemisë, ka thënë koordinatorja e Koalicionit “Every Breath Counts”, Leith Greenslade. Nevoja shtesë po i shtyn sistemet shëndetësore drejt kufirit të tyre.

Spitalet në Indi kanë raportuar shkurtime të theksuara të oksigjenit, ndërsa vendi përballet me valën e dytë. Por, ekspertët shqetësohen për fqinjët e Indisë – Pakistanin, Nepalin, Bangladeshin, Shri Lankën dhe Birmaninë – disa prej të cilave varen nga furnizimet e oksigjenit të Indisë.

Edhe OBSH-ja paralajmëron rritje të numrit të vdekjeve e stërmbushje të spitaleve Botë OBSH-ja paralajmëron rritje të numrit të vdekjeve e stërmbushje të spitaleve

Të dhënat e byrosë tregojnë se Nepalit tani i nevojiten mbi 100 herë më shumë oksigjen se në mars.

Nevoja për oksigjen në Shri Lankë është rritur prej mesit të marsit. Në Pakistan, i cili po vuan valën e tretë të koronavirusit, gati 60 për qind më shumë pacientë janë me oksigjen në spitale se vitin e kaluar gjatë verës.