Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Botë

Shkon në 2.901 numri i të vdekurve nga tërmeti në Marok

Të mbijetuar të shumtë të tërmetit shkatërrimtar që e goditi Marokun e kaluan të katërtën natë në kushte të vështira nëpër strehimoret e improvizuara të ndërtuara në vend, përderisa numri i të vdekurve është rritur në 2 mijë e 900.

Fshatarë të zonave të shkatërruara malore shprehën zhgënjimin që nuk u ndihmuan nga autoritetet, pas dridhjes së fuqishme të tokës të së premtes mbrëma në malet e Atlasit të Lartë.

Më shumë se 5 mijë e 500 persona kanë pësuar lëndime si pasojë e tërmetit më vdekjeprurës që e goditi Marokun që nga viti 1960 dhe më i fuqishmi në më se një shekull.

Ekipet e shpëtimit nga Spanja, Britania e Madhe dhe Katari u kanë dalë tashmë në ndihmë atyre vendore në kërkimin e të mbijetuarve të mundshëm, përderisa në Itali, Belgjikë, Francë dhe Gjermani bënë të ditur se ofertat e tyre për ndihmës ende nuk janë miratuar nga autoritetet marokene.

Situata është kualifikuar si më dëshpëruese për banorët e zonave të largëta, të bllokuara nga rrëshqitjet e dheut si pasojë e tërmetit.