Botë

Shkon në 133 numri i të vdekurve në Rusi

Ka shkuar në 133 numri i të vdekurve si pasojë e sulmit terrorist në sallën e koncerteve “Crocus Concert” të premten mbrëma, ka bërë të ditur Komiteti hetues rus.

Ndërsa shërbimet e urgjencës po vazhdojnë të pastrojnë rrënojat në vendin e ngjarjes, ata po vazhdojnë të gjejnë më shumë trupa, ka deklaruar komiteti në një postim të shpërndarë në aplikacionin e mesazheve Telegram.

Numri i të vdekurve pritet të rritet derisa një numër i madh i të plagosurve që ndodhen në spital raportohet se është në gjendje të rëndë, përfshirë fëmijë.


Shkon në 115 numri i të vdekurve nga sulmi në Moskë

Komiteti hetues i Rusisë ka njoftuar se numri i të vdekurve si pasojë e sulmit në Moskë të premten ka shkuar në 115.

Në mesin e të vdekurve janë edhe tre fëmijë, raportoi The Guardian.

112 persona besohet se janë të hospitalizuar, derisa 60 prej tyre, përfshirë edhe fëmijë, janë në gjendje të rëndë.

Ministria ruse e Shëndetësisë e ka bërë deri më tani publik identitetin e 41 të vrarëve.

Shërbimi Federal i Sigurisë i Rusisë ka lëshuar një deklaratë duke konfirmuar se ka arrestuar 11 të dyshuar pas sulmit terrorist të premten mbrëma, duke përfshirë katër të cilët thotë se morën pjesë drejtpërdrejt në sulm.

Ajo pretendon se të dyshuarit po tentonin të iknin në kufirin Rusi-Ukrainë.

Shteti Islamik ka marrë përgjegjësinë për sulmin, pa dhënë asnjë provë.


Sulmuesit e Moskës u përpoqën të kalonin kufirin me Ukrainën, thonë autoritetet ruse

Katër të dyshuarit për sulmin në sallën Crocus City afër Moskës të premten, janë kapur derisa po përpiqeshin të kalonin kufirin me Ukrainën, ka thënë Komiteti rus i Hetimeve.

“Shërbimet speciale dhe agjencitë e zbatimit të ligjit në rajonin Bryansk, afër kufirit me Ukrainën, i kanë arrestuar katër të dyshuar, nga ata që kryen sulmin në sallën e koncerteve Crocus City”, ka thënë Komiteti, raportoi CNN.

Media shtetërore RIA Novosti ka raportuar “armët e përdorura nga terroristët ishin bërë gati paraprakisht në një depo, sipas Shërbimit të Sigurisë FSB”.

“Pas sulmit terrorist, kriminelët kanë provuar ta kalojnë kufirin mes Federatës ruse dhe Ukrainës, dhe kishin kontakte në anën ukrainase”, ka raportuar RIA.

Edhe agjencia shtetërore e lajmeve TASS ka raportuar se sulmuesit “kishin kontakte në anën ukrainase”.


44 nga të plagosurit në sulmin në Moskë janë në gjendje të rëndë

Ministria ruse e Shëndetësisë ka bërë të ditur se 44 nga të plagosurit si pasojë e sulmit terrorist në sallën Crocus City në Moskë të premten, janë në gjendje të rëndë.

Në mesin e tyre janë edhe dy fëmijë, sipas ministrisë.

“Gjendja e 16 të plagosurve në sulmin në Crocus, përfshirë një fëmijë, është esktremisht serioze”, ka thënë një zyrtar i ministrisë, raportoi CNN.

Guvernatori i rajonit të Moskës, Andrey Vorobyov, ka thënë të shtunën se viktimat e sulmit terrorist do të kompensohen financiarisht nga qeveria rajonale dhe ajo e qytetit.

Sipas tij, secili i afërm i të vdekurve do të pranojë 32,500 dollarë, derisa ata që janë plagosur dhe që ndodhen në spital do të pranojnë nga 10,840 dollarë.

Numri i të vdekurve nga sulmi ka shkuar në të paktën 93 të shtunën, derisa pritet që të rritet.


Mediat ruse raportojnë se janë arrestuar 4 të dyshuar për përfshirje në sulmin në Moskë

Kreu i Shërbimit rus të Sigurisë, Alexander Bortnikov, ka thënë se 11 persona janë arrestuar lidhur me sulmin në sallën e koncerteve “Crocus” afër Moskës të premten.

Kremlini ka thënë se në këta të arrestuar përfshihen “të katër terroristët e përfshirë direkt në sulmin terrorist në Crocus”, kanë raportuar mediat ruse.

Komiteti Hetues rus ka thënë se numri i të vdekurve ka shkuar në 93 dhe 107 persona janë në spital. Ministria e Shëndetësisë ka thënë se pesë fëmijë janë në mesin e të hospitalizuarve.


Të paktën 60 të vrarë në sulmin në Moskë

Të paktën 60 persona janë vrarë dhe 145 të tjerë janë plagosur në sulmin terrorist në Rusi, më të rëndin në vite, ndërsa persona të armatosur hapën zjarr dhe shpërthyen eksplozivë në një sallë koncertesh jashtë Moskës.

Agjencia shtetërore e lajmeve Ria ka raportuar se autoritetet ruse kanë thënë se numri i të vdekurve mund të rritet dhe se është herët të thuhet çfarë ka ndodhur me sulmuesit. Rreth 60 persona janë në gjendje të rëndë.

Shteti Islamik ka marrë përgjegjësinë për sulmin e të premtes, ndërsa ka pretenduar se pjesëtarët e saj kishin arritur të iknin nga vendi. Një zyrtar amerikan ka thënë se inteligjenca ka konfirmuar pretendimet e IS-it, raportoi The Guardian. 

Fotografitë e videot nga vendi i ngjarjes e kanë shfaqur objektin në flakë e viktimat që iknin në panik.

Në një video shihen tre persona të armatosur që qëllojnë mbi njerëzit në korridorin e sallës.

Zyrtarët kanë thënë se pesë fëmijë ishin në mesin e viktimave.

Në fillim të muajit, shtetet perëndimore në krye me SHBA-në kishin lëshuar paralajmërim rreziku dhe u kishin thënë qytetarëve të tyre të mos merrnin pjesë në tubime në Rusi. Më 8 mars, Ambasada amerikane pati shkruar se “po monitoron raporte se ekstremistë kanë plane që shënjestrojnë tubime në Moskë, përfshirë koncertet, dhe shtetasit amerikanë duhet të shmangin tubimet e mëdha gjatë 48 orëve”.

Sulmi ishte nga ata më të rëndët në Rusi që nga viti 2004 kur nga një sulm u vranë 334 persona, përfshirë 186 fëmijë.