Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Botë

Shirat vdekjeprurës vërshojnë Pakistanin

Numri i të vdekurve nga incidentet që lidhen me shiun në Pakistan gjatë muajit të kaluar është rritur në 147, pasi shirat e musonit vazhdojnë ta godasin vendin, duke shkaktuar përmbytje të mëdha e të shpejta në disa pjesë.

Deri më tani 88 gra e fëmijë ishin në mesin e të vdekurve. Shirat e musonit kanë dëmtuar edhe shtëpi, rrugë, ura e termocentrale në të gjithë vendin.

Situata ishte veçanërisht e rëndë në qytetin port të madh jugor të Karaçit, ku lagje të tëra mbetën të bllokuara. Reshjet thuhet se janë pothuajse dy herë më të dendura se mesatarja e shiut në këtë periudhë të vitit. Ato filluan në mesin e qershorit duke bërë kërdi në provincën jugperëndimore të Baluchistanit, ku 63 persona kanë vdekur deri më tani.

Çdo vit shumë qytete në Pakistan luftojnë me përmbytjen vjetore të musoneve dhe për këtë fajësohet planifikimi i dobët i qeverisë. Sezoni zgjat nga korriku deri në shtator dhe ekspertët kanë theksuar se shirat janë thelbësorë për ujitjen e të korrave dhe rimbushjen e digave dhe rezervuarëve të tjerë të ujit në Pakistan.

Disa pjesë të Pakistanit jugor janë përballur me thatësirën që nga fillimi i këtij viti.

Artikuj të ngjashëm