Grupi i Shtetit Islamik ka kryer sulmet më vdekjeprurëse në më shumë se një vit, duke vrarë dhjetëra civilë dhe oficerë sigurie në shkretëtira në qendër të Sirisë, edhe pse njerëzit në veri kanë gërmuar nëpër rrënojat pas tërmetit shkatërrues në rajon.
Vrasjet ishin rikujtim i kërcënimit të vazhdueshëm nga IS-i, qelizat e heshtura të së cilit ende terrorizojnë popullatën pas afër 4 vjet nga mposhtja e grupit në Siri, raportoi AP.
Militantët e IS-it kanë gjetur strehim në shkretëtirat e pabanuara të Sirisë dhe përreth kufirit Irak-Siri. Nga atje, lëshojnë sulme kundër civilëve dhe forcave të sigurisë në të dyja shtetet. Por, janë edhe të rrethuar nga kundërshtarët nga të gjitha anët: trupat e qeverisë siriane ashtu si luftëtarët kurdë që kontrollojnë lindjen e Sirisë dhe mbështeten nga forcat amerikane.
Sulmet e IS-it këtë muaj ishin të mëdha ndaj një caku të cenueshëm: gjuetarë në shkretëtirë.
Zona është larg rajoneve veriore të shkatërruara nga tërmeti i 6 shkurtit që vrau rreth 50 mijë në Turqi dhe Siri. Megjithatë, luftëtarët e IS-it e shfrytëzuan mundësinë nga tërmeti për të dërguar mesazh se organizata është ende prezente.