Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë vendosur të enjten sanksione kundër një rrjeti të kontrabandës së naftës iraniane të maskuar si naftë me origjinë Iraku, dhe një institucioni financiar të kontrolluar nga Hezbollahu, ka bërë të ditur Departamenti amerikan i Thesarit.
Një rrjet i kompanive të drejtuara nga irako-britaniku, Salim Ahmed Said, ka qenë duke blerë dhe ngarkuar naftë iraniane në vlerë prej miliarda dollarësh të maskuar si, ose të përzier me, naftë të Irakut që nga viti 2020, ka shkruar Reuters.
“Departamenti i Thesarit do të vazhdojë të shënjestrojë burimet e të ardhurave të Teheranit dhe të intensifikojë presionin ekonomik për të penguar qasjen e regjimit në burimet financiare që i nxisin aktivitetet e tij destabilizuese”, ka thënë sekretari amerikan i Thesarit, Scott Bessent.
SHBA-ja ka vendosur disa valë sanksionesh kundrejt eksporteve të naftës së Iranit për shkak të programit bërthamor të shtetit dhe financimit të grupeve paraushtarake përgjatë Lindjes së Mesme.
Agjencia e lajmeve Reuters ka raportuar vitin e kaluar se rrjeti i kontrabandës së naftës ka gjeneruar rreth 1 miliard dollarë në vit për Iranin dhe se grupet e tij satelite kanë lulëzuar në Irak që nga 2022-ta.
Sanksionet janë realizuar në kohën kur SHBA-ja ka ndërmarrë sulme ushtarake kundër tri bazave bërthamore të Iranit, përfshirë impiantin e groposur thellë të Fordowit. Në Pentagon kanë thënë të mërkurën se bombardimet e kanë zvarritur programin bërthamor iranian për më shumë se dy vjet, pavarësisht një vlerësimi të mëhershëm që kishte rrjedhur në publik.