SHBA-ja ka propozuar një draft-rezolutë në Këshillin e Sigurisë së Kombeve të Bashkuara, e cila bën thirrje për një armëpushim të përkohshëm në Gaza.
Draft-rezoluta po ashtu ka paralajmëruar Izraelin kundër pushtimit të qytetit të mbipopulluar të Rafahas, raportoi BBC-ja.
SHBA-ja më parë e ka evituar fjalën “armëpushim” gjatë votimeve të OKB-së për luftën, por presidenti, Joe Biden, ka bërë komente të ngjashme.
Sidoqoftë, SHBA-ja po planifikon të vë veto ndaj një draft-rezolute tjetër, nga Algjeria, e cila thërret për armëpushim të menjëhershëm humanitar.
Më shumë se një milionë palestinezë të zhvendosur, të cilët paraqesin rreth gjysmën e popullatës së Gazës, janë të dendur brenda Rafahit, pasi janë detyruar të kërkojnë strehim atje.
Qyteti jugor i cili kufizohet me Egjiptin, ishte shtëpi 250 mijë njerëzve para luftës.
Shumica e të zhvendosurve jetojnë në strehimore të improvizuara, ose në tenda, në kushte të rënda, me qasje të dobët në ujë të pijshëm dhe ushqim.
Edhe
SHBA-ja propozon që OKB-ja të autorizojë një forcë stabilizuese në Gazë për 2 vjet
OKB-ja ka paralajmëruar se një ofensivë e planifikuar e Izraelit në qytet, mund të çojë në një “katastrofë”.
Izraeli ka nisur operacionet në Gaza pas një sulmi nga Hamasi në jug të Izraelit më 7 tetor të vitit të kaluar, gjatë të cilit rreth 1,200 njerëz kanë mbetur të vdekur dhe më shumë se 240 të tjerë janë marrë pengje.
Sulmet e Izraelit ndërkaq kanë lënë të vdekur 29 mijë njerëz në territorin palestinez, sipas Ministrisë së Shëndetësisë së Hamasit.