Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Botë

SHBA-ja shpreson që Turqia do ta lejojë anëtarësimin e Suedisë në NATO para korrikut

Sekretari i Mbrojtjes i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Lloyd Austin, ka thënë të mërkurën se është e rëndësishme që Turqia të vendosë të lejojë Suedinë në NATO para samitit të aleancës në Lituani që do të mbahet në korrik, raportoi “Euronews”.

Me të njëjtin optimizëm ka folur edhe ministri suedez i Mbrojtjes, Pal Jonson, i cili ka thënë se shpreson që vendi i tij të lejohet të anëtarësohet në aleancë deri në verë.

"Mezi presim të vazhdojmë të avokojmë për pranimin tuaj të shpejtë në NATO dhe do të punojmë shumë për ta bërë këtë përpara samitit”, ka thënë Austini.

Sekretari amerikan i Mbrojtjes shtoi se anëtarësimi i Suedisë në NATO do ta bëjë aleancën më të fortë dhe kontinentin më të sigurt në një kohë vendimtare për sigurinë evropiane.

"Është e rëndësishme për të gjithë ne që ata të marrin vendimin përpara se të bëhet vonë”, ka thënë ai.

Përpjekja e Suedisë për t'u bashkuar me NATO-n ka ngecur për shkak të kundërshtimit të Turqisë dhe Hungarisë, ndërsa Finlanda - e cila kërkoi të bashkohej me aleancën në të njëjtën kohë me vendin fqinj skandinav në maj të vitit të kaluar - u bë zyrtarisht anëtarja më e re e NATO-s më 5 prill, disa ditë pasi Turqia dhe Hungaria ratifikuan kërkesën e Helsinkit.