Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Kubë po rikthen shërbimet e vizave dhe ato konsullore atje, duke filluar nga e mërkura.
Rikthimi bëhet për herë të parë që nga një seri incidentesh të pashpjegueshme shëndetësore midis stafit diplomatik në vitin 2017, që uli praninë amerikane në Havana, raportoi Associated Press të mërkurën.
Ambasada konfirmoi këtë javë se do të fillojë përpunimin e vizave imigruese, me një prioritet në lejet për të ribashkuar kubanezët me familjen në SHBA, dhe të tjera si lotaria e vizave.
Rifillimi vjen në kohën e ikjes më të madhe migratore nga Kuba në dekada, gjë që ka bërë presion mbi administratën e Bidenit për të hapur më shumë rrugë ligjore për kubanezët dhe për të filluar një dialog me qeverinë kubane, pavarësisht nga një marrëdhënie historikisht e tensionuar. Administrata pritet të japë të paktën 20,000 viza në vit.
Në fund të dhjetorit, autoritetet amerikane raportuan ndalimin e kubanëve 34,675 herë përgjatë kufirit me Meksikën në nëntor, 21 për qind më shumë nga 28,848 herë në tetor.
Nga muaji në muaj, ky numër është rritur gradualisht. Kubanët janë tani kombësia e dytë më e madhe pas meksikanëve që shfaqen në kufi, tregojnë të dhënat e Doganave dhe Mbrojtjes Kufitare të SHBA-së.
Migrimi në rritje është për shkak të një sërë faktorësh, duke përfshirë krizat ekonomike, energjetike dhe politike, si dhe pakënaqësinë e thellë mes kubanezëve.