Sipas “Wall Street Journal”, qeveria amerikane po përgatitet të forcojë sanksionet ndaj Rusisë.
Një nga sanksionet që po planifikohet të ndërmerret është ai ndaj bankave përmes të cilave Rusia ka qasje në valutat ndërkombëtare, pastaj planifikohet konfiskimi i aseteve të oligarkëve në listën e zezë dhe ndëshkimi i kompanive që vazhdojnë të eksportojnë mallra në Rusi.
Ndërkohë Rusia po planifikon të sulmojë infrastrukturën e Ukrainës në ditët në vijim, shkruan CNN-i të martën.
Shtetet e Bashkuara thonë se kanë informacionet se Rusia po “rritë përpjekjet” për të nisur së shpejti sulme të reja kundër infrastrukturës civile dhe objekteve qeveritare të Ukrainës, ka thënë një zyrtar.
“Ne kemi informacione se Rusia po shton përpjekjet për të nisur sulmet kundër infrastrukturës civile dhe objekteve qeveritare të Ukrainës në ditët në vijim. Duke pasur parasysh historikun e Rusisë në Ukrainë, ne jemi të shqetësuar për kërcënimin e vazhdueshëm që sulmet ruse paraqesin për civilët dhe infrastrukturën civile”, tha ky zyrtar.
Zyrtari tha se deklarata bazohej në inteligjencën e SHBA.