Derisa lufta e Rusisë në Ukrainë po zgjatet, ndihma e SHBA-së po ashtu po kalon në fushatë afatgjatë që me gjasë do të mbajë më shumë trupa amerikane në Evropë në të ardhmen, përfshirë planet e afërta për të shpallur një ndihmë shtesë prej rreth 3 miliardë dollarësh për të trajnuar dhe pajisur forcat ukrainase për të luftuar në vitet në vijim, thanë zyrtarë amerikanë për AP.
Zyrtarët e SHBA-së thanë se pakoja pritet të shpallet të mërkurën, ditën kur shënon gjashtëmujori i luftës dhe Ukraina feston ditën e pavarësisë. Paratë do të financojnë kontratat për dronët, armët dhe pajisjet e tjera.
Ndryshe nga pakot e mëhershme, donacioni i ri synon të ndihmojë Ukrainën ta sigurojë mbrojtjen afatmesme dhe afatgjate, thanë zyrtarët. Dërgesat e mëparshme ishin fokusuar në nevojat më imediate të Ukrainës për armë dhe municion.
Pakoja e re ka qëllim të sigurojë zyrtarët ukrainas se SHBA-ja ka për qëllim ta vazhdojë mbështetjen e saj pavarësisht konfliktit, shtuan zyrtarët amerikanë.
Shefi i NATO-s, Jens Stoltenberg, ripohoi të martën mbështetjen e aleancës për vendin e shkatërruar nga lufta.
Për gjashtë muaj në luftë, të dyja palët kanë humbur mijëra trupa ushtarake ashtu si edhe civilë në Ukrainë. Ka shqetësime se Rusia do të intensifikojë sulmet mbi infrastrukturat civile dhe objektet qeveritare në ditët në vijim për shkak të festimeve për pavarësi.