Botë

SHBA-ja nuk është e përfshirë në shpërthimet në Liban, thotë Departamenti i Shtetit

Mathhew Miller

Foto: Associated Press

Shtetet e Bashkuara nuk janë "të përfshira" në serinë e shpërthimeve të pajisjeve të komunikimit në Liban dhe "nuk ishin në dijeni" të ndonjë sulmi paraprakisht, sipas zëdhënësit të Departamentit të Shtetit, Mathhew Miller.

Ai i është referuar në mënyrë të përsëritur çështjes si “një incident” dhe jo “një sulm”, raporton CNN.

Miller nuk deshi të flasë rreth asaj se çfarë informacioni ka SHBA-ja dhe po ashtu nuk pranoi të flasë nëse ajo vlerëson se Izraeli është përgjegjës apo jo.

Hezbollahu dhe Libani kanë fajësuar të dy Izraelin për sulmin, i cili la të vdekur të paktën nëntë persona dhe të plagosur rreth 3,000 të tjerë, sipas ministrit libanez të Shëndetësisë.

"Unë nuk kam ndonjë vlerësim për të ofruar në një mënyrë apo tjetër në këtë pikë”, ka thënë Miller.

“Ne po mbledhim informacione përmes kanaleve diplomatike si dhe kanaleve të tjera për këtë incident,” ka thënë ai, duke mos dashur të komentojë nëse SHBA-ja ka pasur biseda me zyrtarë izraelitë apo libanezë. 

“Nuk dua të paragjykoj se çfarë do të themi në ditët në vijim”, është shprehur Miller.

I pyetur nëse kishte indikacione se Irani mund të hakmerrej, duke pasur parasysh raportet se ambasadori iranian ishte plagosur, Miller tha se nuk dëshiron të spekulojë derisa këto raporte të konfirmohen. 

Miller përsëriti gjithashtu se SHBA-ja beson se duhet të ketë një zgjidhje diplomatike për konfliktin në veri të Izraelit me Hezbollahun dhe se është e rëndësishme që Izraeli dhe Hamasi të arrijnë një armëpushim në mënyrë që të lehtësojnë një zgjidhje diplomatike në veri.

LEXO EDHE: