Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Botë

SHBA-ja nuk do të ngutet që ta pranojë regjimin e talebanëve

Sekretarja për shtyp e Shtëpisë së Bardhë, Jen Psaki ka hedhur poshtë mundësinë që SHBA-ja ta njohë autoritetin e talebanëve në Afganistan, në një të ardhme të afërt.

“Dua të jem e qartë: nuk ka nguti nga Shtetet e Bashkuara apo partnerët e tjerë ndërkombëtarë me të cilët kemi folur, për njohje”, ka thënë Psaki.

Ndërkohë, e pyetur për koordinimin mes talebanëve dhe ushtrisë amerikane në javët e fundit, ajo ka thënë se “ky nuk është vendi i vetëm në botë ku ne duhet të punojmë me kundërshtarët”.

Talebanët morën në dorë Kabulin afërsisht dy javë më parë, si pasojë e nisjes së tërheqjes së trupave amerikane nga Afganistani.

Qindra mijëra njerëz që atëherë i janë drejtuar aeroportit të Kabulit për të ikur nga Afganistani.

Ndërkohë, të enjten afër aeroportit janë kryer dy sulme me bombë si pasojë e të cilave kanë mbetur të vdekur të paktën 170 afganë e 13 pjesëtarë të shërbimit ushtarak amerikan.

Përgjegjësinë për sulmin e ka marrë grupi i quajtur “Shteti Islamik”, në Afganistan.

Artikuj të ngjashëm