SHBA-ja e ka ndaluar shitjen e të gjitha produkteve të shitura nga “Juul”, një nga kompanitë më të mira të cigareve elektronike në vend.
Administrata e Ushqimit dhe Barnave (FDA) tha se nuk kishte të dhëna të mjaftueshme për t'u siguruar që marketingu i produkteve të firmës ishte "i përshtatshëm për mbrojtjen e shëndetit publik", raportoi BBC-ja të enjten.
Kompania “Juul” tha se do ta kundërshtojë vendimin.
Masa vjen pas përpjekjeve të tjera të fundit kundër duhanit nga FDA-ja, duke përfshirë planet për të reduktuar sasinë e nikotinës të lejuar në cigare.
Agjencia ka ndaluar më parë shijet e frutave që ndihmuan “Juul”-in ta bënin një fenomen mes adoleshentëve vite më parë.
"Veprimi i sotëm është përparim i mëtejshëm në angazhimin e FDA-së për të siguruar që të gjitha produktet e sistemit të shpërndarjes së cigareve elektronike dhe nikotinës që aktualisht tregtohen për konsumatorët, përmbushin standardet tona të shëndetit publik", tha në një deklaratë komisioneri i FDA-së, Robert M. Califf.
Kompania “Juul” e themeluar në Kaliforni në vitin 2015 nga disa ish-duhanpirës, ka promovuar cigaret elektronike si një alternativë më e shëndetshme ndaj cigareve tradicionale prej duhani.
Por produktet, të cilat përmbajnë përqendrime të larta të nikotinës, ngritën alarmin pasi përdorimi tek adoleshentët shpërtheu, me më shumë se një të katërtën e nxënësve të shkollave të mesme që përdornin cigare elektronike në vitin 2019, sipas një sondazhi federal.
Në vitin 2020, FDA-ja tha se do t'u kërkonte kompanive të dorëzonin produktet e tyre të cigareve elektronike për miratim. Që atëherë, disave prej tyre u është dhënë drita e gjelbër.
FDA-ja vuri në dukje se produktet e “Juul”, kishin nivele të nikotinës prej 3% dhe 5%.
“Juul” tha se do të kërkojë anulimin e vendimit.
"Ne, me respekt, nuk pajtohemi me gjetjet dhe vendimin e FDA-së dhe vazhdojmë të besojmë se kemi ofruar informacion dhe të dhëna të mjaftueshme të bazuara në hulumtime me cilësi të lartë për të adresuar të gjitha çështjet e ngritura nga agjencia", tha në një deklaratë shefi rregullator i firmës, Joe Murillo.
Aksionet e firmës u ulën për 9% të mërkurën, pasi Wall Street Journal raportoi planet për ndalimin.