Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Botë

SHBA-ja kryen sulme ndaj objektivave iraniane pas sulmit ndaj një anijeje tregtare

Hormuz

Ushtria amerikane ka kryer sulme ndaj objektivave iraniane, pasi presidenti Donald Trump e akuzoi Iranin për “shkelje të pamend” të armëpushimit, pas një sulmi ndaj një anijeje tregtare në Ngushticën e Hormuzit.

Nga sulmi me një dron vetëvrasës ndaj anijes, i kryer të enjten, nuk u raportuan viktima. Megjithatë, incidenti nxiti planet për evakuimin e më shumë se 11 mijë marinarëve që ndodheshin të bllokuar në rajon.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

Si përgjigje, Komanda Qendrore e Shteteve të Bashkuara (CENTCOM) njoftoi të premten se ka goditur objekte për ruajtjen e raketave dhe dronëve, si dhe pozicione të radarëve bregdetarë në Iran. Deri më tani, autoritetet iraniane nuk kanë reaguar lidhur me këto sulme.

Pak çaste para njoftimit për operacionin ushtarak, presidenti Trump, i pyetur nëse SHBA-ja do t’i përgjigjej sulmit iranian, deklaroi shkurt: “Do ta shihni”.

Në një deklaratë, CENTCOM i cilësoi sulmet amerikane si “një përgjigje të fuqishme” ndaj sulmit me dron ndaj anijes tregtare.

“Agresioni i pajustifikuar kundër transportit tregtar nga forcat iraniane përbën një shkelje të qartë të armëpushimit”, thuhet në deklaratë.

Sipas komandës amerikane, sjellja e Iranit rrezikon lirinë e lundrimit në një nga korridoret më të rëndësishme tregtare në botë.

CENTCOM theksoi se ushtria amerikane do të vazhdojë të ofrojë koordinim dhe mbështetje për kalimin e sigurt të anijeve tregtare që lundrojnë nëpër Ngushticën e Hormuzit.