Botë

SHBA-ja i kërkon Izraelit të jetë transparent për sulmin mbi shkollën në Gaza

SHBA-ja i kërkon Izraelit të jetë transparent për sulmin mbi shkollën në Gaza

Foto: BBC

Shtetet e Bashkuara të Amerikës i kanë thënë Izraelit se duhet të jetë plotësisht “transparent” sa i përket një sulmi ajror që raportohet të ketë vrarë 35 persona në një shkollë në Gaza të mbushur me të zhvendosurit.

Është raportuar se një avion luftarak kishte hedhur dy raketa në klasat e shkollës të enjten.

Ushtria izraelite ka thënë se ka kryer një sulm “preciz” mbi Hamasin në atë shkollë, por qeveria e Gazas e drejtuar nga Hamasi e ka mohuar këtë.

SHBA-ja i ka bërë thirrje Izraelit që të identifikojë publikisht luftëtarët e Hamasit që ka thënë se i ka vrarë aty.

Izraeli shpesh i identifikon militantët që i shënjestron në sulme ajrore, por është e rrallë për SHBA-në të bëjë thirrje për këtë gjë.

Zëdhënësi i Departamentit të Shtetit, Matthew Miller, ka thënë se SHBA-ja ka parë raportime se 14 fëmijë janë në mesin e të vrarëve në sulm.

“Nëse kjo është e saktë se 14 fëmijë janë vrarë, ata nuk janë terroristë”, ka thënë ai.

“Kështu që qeveria e Izraelit ka thënë se do të publikojë më shumë informacione për sulmin... Presim që ata të jenë plotësisht transparent në publikimin e informacionit”.