SHBA-ja i ka kërkuar Danimarkës të "qetësohet" pasi diplomati më i lartë amerikan në Kopenhagë u thirr për pretendimet se amerikanët kishin kryer operacione të fshehta në Grenlandë.
Transmetuesi publik danez DR ka cituar burime të thoshin se qëllimi ishte të infiltrohej shoqëria dhe të promovohej shkëputja e saj nga Danimarka në SHBA, megjithëse nuk ishte në gjendje të sqaronte për kë po punonin këta burra, raporton BBC.
Një zyrtar i Shtëpisë së Bardhë nuk ka konfirmuar se një fushatë ndikimi është duke u zhvilluar, por ka deklaruar se "Ne mendojmë se danezët duhet të qetësohen".
Ministri i Jashtëm danez, Lars Lokke Rasmussen ka thënë të mërkurën se "çdo përpjekje për të ndërhyrë në punët e brendshme të Mbretërisë (së Danimarkës) sigurisht që do të jetë e papranueshme".
Inteligjenca daneze paralajmëroi se Grenlanda po shënjestrohej nga "lloje të ndryshme fushatash ndikimi".
Një zëdhënës i departamentit të shtetit amerikan ka thënë se i Ngarkuari me Punë Mark Stroh ishte takuar me ministrinë e Punëve të Jashtme, duke shtuar se kishte pasur një "bisedë produktive" që "riafirmoi lidhjet e forta" midis Grenlandës, Danimarkës dhe SHBA-së.
Zëdhënësi nuk mundi të komentonte mbi "veprimet e qytetarëve privatë amerikanë në Grenlandë", por ka thënë se SHBA-ja gjithmonë e ka respektuar të drejtën e popullit të Grenlandës për të "përcaktuar të ardhmen e tij".
Presidenti i SHBA-së, Trump, ka thënë disa herë se dëshiron të aneksojë Grenlandën, një pjesë gjysmë-autonome e Mbretërisë së Danimarkës, dhe zëvendëspresidenti JD Vance e ka akuzuar Kopenhagen për investime të pamjaftueshme në territor.
Gjatë një vizite në Grenlandë disa muaj më parë, kryeministrja daneze Mette Frederiksen paralajmëroi SHBA-në se "nuk mund të aneksohet një vend tjetër".
Danimarka është anëtare e NATO-s dhe Bashkimit Evropian dhe prej kohësh e ka parë SHBA-në si një nga aleatët e saj më të ngushtë, dhe danezët janë tronditur nga vendosmëria e Trump itpër të kontrolluar territorin e saj gjysmë-autonom.
Presidenti i SHBA-së ka thënë këtë vit se nuk do ta përjashtonte kapjen e tij me forcë.