Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Botë

SHBA-ja do t’i transferojë në Ukrainë armët e sekuestruara nga Irani

Shtetet e Bashkuara të Amerikës do të transferojnë mijëra armë iraniane të sekuestruara dhe municione në Ukrainë, raportoi të mërkurën CNN-i.

Ky vendim nga SHBA-ja është marrë për të ndihmuar në zbutjen e disa prej mungesave kritike me të cilat po përballet ushtria ukrainase.

Komanda Qendrore e SHBA-së ka transferuar tashmë mbi një milion fishekë municionesh iraniane të sekuestruara tek forcat e armatosura të Ukrainës.

“Qeveria fitoi pronësinë e këtyre municioneve më 20 korrik 2023, nëpërmjet pretendimeve të Departamentit të Drejtësisë për konfiskim civil kundër Korpusit të Gardës Revolucionare Islamike të Iranit (IRGC)”, thuhet në deklaratën e lëshuar nga Komanda Qendrore e SHBA-së.

Departamenti i Drejtësisë njoftoi në korrik se ka kërkuar konfiskimin e “mbi 9,000 pushkëve, 284 mitralozë, afërsisht 194 raketahedhës, mbi 70 raketa antitank dhe mbi 700,000 fishekë municionesh” të sekuestruara nga Irani nga Marina e SHBA-së.

“Këto municione fillimisht u kapën nga forcat detare të Komandës Qendrore të SHBA-së nga anijet tranzituese pa shtetësi MARËAN 1, më 9 dhjetor 2022. Municionet po transferoheshin nga IRGC te Houthis në Jemen, në kundërshtim me Rezolutën 2216 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara”, thuhet në deklaratë.