Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Izraeli kanë diskutuar mundësinë e një administrate të udhëhequr nga Washingtoni për Gazën e pas luftës, sipas disa burimeve të agjencisë së lajmeve “Reuters”.
Konsultimet e nivelit të lartë janë zhvilluar rreth një qeverie tranzicionale të udhëhequr nga një zyrtar i SHBA-së që do të mbikëqyrte Gazën deri sa të demilitarizohej dhe të stabilizohej, dhe derisa të krijohej një administratë e qëndrueshme palestineze.
Sipas bisedimeve, që janë preliminare, nuk do të ketë kohë të caktuar për atë sesa do të zgjaste administrata e udhëhequr nga SHBA-ja, dhe kjo thuhet se do të varej nga situata në terren.
Në diskutime propozimi u krahasua me Autoritetin e Përkohshëm të Koalicionit në Irak që Washingtoni e krijoi në vitin 2003, menjëherë pas pushtimit të udhëhequr nga SHBA-ja që e rrëzoi Sadam Huseinin.
Autoriteti është cilësuar nga shumë irakianë si forcë pushtuese dhe në vitin 2004 i transferoi pushtetin një qeverie të përkohshme irakiane pasi dështoi ta kontrollonte një rebelim në rritje.
Sipas burimeve edhe vende të tjera do të ftohen të marrin pjesë në autoritetin e udhëhequr nga SHBA-ja në Gazë, por nuk janë specifikuar se cilat vende. Ata thanë se administrata do të mbështetet te teknokratët palestinezë, por do të përjashtojë grupin militant palestinez Hamas dhe Autoritetin Palestinez, i cili mban autoritet të kufizuar në Bregun Perëndimor të pushtuar.