Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Botë

SHBA-ja dhe Ukraina diskutojnë për armëpushimin, para samitit evropian

Zelensky

Kryeqyteti i Gjermanisë do të jetë nikoqir i delegacioneve amerikane dhe ukrainase, të cilat do të diskutojnë mbi armëpushimin në Ukrainë, përpara se për ndaljen e luftës së Rusisë të mbahet samiti i liderëve evropianë. Diskutimet shihen si sinjal se Washingtoni zyrtar sheh shanse për përparim në çështjen e armëpushimit, pas propozimit amerikan të planit për paqe. E në këtë plan, sipas dy medieve prestigjioze ndërkombëtare, parashihet edhe anëtarësimi i Ukrainës në Bashkimin Evropian në vitin 2027

Gjermania do të jetë nikoqire e një takimi të fundjavës midis delegacionit amerikan, atij të Bashkimit Evropian dhe ukrainas për arritjen e armëpushimit në Ukrainë, në kuadër të përpjekjeve të intensifikuara të SHBA-së dhe BE-së për ndaljen e luftës së nisur nga Rusia.

Në takimin që do të zhvillohet në Berlin, para mbajtjes së samitit të liderëve evropianë, delegacioni amerikan do të udhëhiqet nga i dërguari i posaçëm i presidentit Donald Trump për Ukrainën, Steve Witkoff, dhe dhëndri i tij, Jared Kushner. 

Përzgjedhja e Witkoffit për ta udhëhequr delegacionin shihet si sinjal se Washingtoni zyrtar sheh shanse për përparim në çështjen e armëpushimit, pas planit të propozuar amerikan për paqe. Për këtë plan Britania e Madhe, Franca dhe Gjermani janë angazhuar për të siguruar disa ndryshime, pasi që drafti i publikuar muajin e shkuar i bën thirrje Ukrainës t’ia lëshojë Rusisë disa territore si dhe të heqë dorë nga ambicia për anëtarësim në NATO.

E të shtunën kancelari gjerman, Fridrich Merz, ka thënë se Evropa duhet të përgatitet për ndryshim themelor në marrëdhënien e saj me SHBA-në, në kohën kur përballet me kërcënim në rritje nga Rusia.

“Dekadat e Pax Americana kanë mbaruar kryesisht për ne në Evropë, edhe për ne në Gjermani. Nuk ekziston më ashtu siç e dinim. Dhe nostalgjia nuk do ta ndryshojë këtë. Amerikanët tani po i ndjekin shumë më agresivisht interesat e tyre. Dhe kjo mund të nënkuptojë vetëm një gjë: që edhe ne tani duhet t’i ndjekim interesat tona”, ka thënë Merz.

Edhe Gjermania flet për një prani afër Ukrainës në rast të armëpushimit Botë Gjermania flet për një prani afër Ukrainës në rast të armëpushimit

Në kuadër të iniciativës për ndaljen e luftës së Rusisë në Ukrainë, presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan, pati të premten takim me homologun rus, Vladimir Putin.

E të shtunën Erdogani është shprehur optimist për arritjen e një marrëveshjeje.

“Pas takimit me Putinin shpresojmë që ta kemi mundësinë për ta diskutuar planin e paqes edhe me presidentin e SHBA-së, Donald Trump. Paqja nuk është larg; ne e shohim këtë”, ka thënë Erdogan.

Një ditë më parë mediat “Financial Times” e Associated France Press raportuan, duke u bazuar në burime, se plani amerikan i paqes e parasheh anëtarësimin e Ukrainës në Bashkimin Evropian më 1 janar të 2027-s.

Sipas “Financial Times”, propozimi është duke u negociuar nga zyrtarë amerikanë e ata ukrainas, me mbështetjen e Brukselit. Por, anëtarësimi i shpejtë i Ukrainës në bllokun evropian mund të shqetësojë disa vende të BE-së, ndonëse administrata Trump beson se për këtë do të mund të tejkalohet kundërshtimi i Hungarisë.

Edhe Evropa dhe Ukraina po përgatisin një propozim me 12 pika për fundin e luftës me Rusinë Botë Evropa dhe Ukraina po përgatisin një propozim me 12 pika për fundin e luftës me Rusinë

Në funksion të shmangies së vetos nga Hungaria si edhe nga Sllovakia, BE-ja është dakorduar gjithashtu që t’i ngrijë për kohë të pacaktuar të gjitha mjetet financiare të bankës qendrore ruse të mbajtura në Evropë, duke hequr një pengesë të madhe për përdorimin e parave të gatshme për të ndihmuar Ukrainën të mbrohet kundër Rusisë.

Pajtimi për ngrirjen e 210 miliardë eurove nga asetet ruse për aq kohë sa të jetë e nevojshme e eliminon rrezikun që Hungaria dhe Sllovakia, të cilat kanë marrëdhënie më të mira me Rusinë sesa shtetet e tjera të BE-së, të refuzojnë zgjatjen e ngrirjes dhe që në këtë mënyrë ta detyrojnë BE-në t’ia kthejë paratë Rusisë.