Një gjykatë në SHBA ka dënuar bosin kolumbian të drogës Dairo Antonio Usuga me 45 vjet burgim, raporton BBC.
Usuga, që njihej me nofkën Otoniel, ishte trafikues famëkeq i kokainës dhe ishte lider i bandës më të fuqishme të drogës në Kolumbi për më tepër se nëntë vjet.
Ai në janar u deklarua fajtor se ka udhëhequr një ndërmarrje kriminale dhe ka trafikuar drogë.
Gjatë seancës të së martës, Usuga ka thënë se i vjen keq për veprimet e tij.
“Unë i kërkoj falje qeverive të SHBA-së dhe Kolumbisë, e po ashtu viktimave të krimeve që kam kryer”, ka thënë 51-vjeçari.
Edhe
Ekstradohet në SHBA trafikanti ekuadorian i drogës
Prokurorët e kanë përshkruar atë “si trafikuesin më të madh kolumbian të drogës, që nga Pablo Escobari” dhe kanë thënë se ai ka ndihmuar të dërgohen në SHBA afro 100 mijë kilogramë kokainë.
Autoritetet amerikane e kanë përshkruar atë si “trafikuesin më famëkeq dhe të dhunshëm në botë”.
Usuga u arrestua në vitin 2021 dhe u ekstradua në SHBA vitin e kaluar, ku është përballur me akuza për trafikim të drogës.
Avokatët e tij kërkuan dënim jo më të madh se 25 vjet burgim. Ata thanë se rritja në një varfëri rurale, rrethuar nga lufta guerrile, e ka çuar atë drejt botës së krimit.
Mirëpo, gjykatësja Dora Irizarry, refuzoi këtë arsyetim, duke thënë se edhe ajo u rrit në një zonë në Bronksin Jugor të rrethuar nga droga e dhuna, por nuk ndoqi rrugë të ngjashme.
Edhe
Lordi i drogës kthehet në Kolumbi pas 20 vjetësh burgim në SHBA
Usuga dorëzoi 216 milionë dollarë të fituara nga shitja e drogës, si pjesë e deklarimit të tij si fajtor.
Ai ishte lider i kartelit Gulf Clan në Kolumbi.