Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Afganistan ka bërë thirrje që të evitohet aeroporti i Kabulit, për shkak të kërcënimeve ndaj sigurisë atje.
“Për shkak të kërcënimeve për sigurinë në aeroportin e Kabulit, ne vazhdojmë të këshillojmë qytetarët amerikanë të evitojnë udhëtimin në aeroport dhe të evitojnë hyrjet e aeroportit”, thuhet në njoftim.
Sipas ambasadës, qytetarët amerikanë që ndodhen në hyrjen Abbey, hyrjen Lindore, hyrjen Veriore ose në hyrjen e Ministrisë së re të Brendshme, duhet të largohen menjëherë.
Ky paralajmërim vjen vetëm dy ditë pasi në njërën prej hyrjeve të aeroportit të Kabulit kanë ndodhur dy sulme vetëvrasëse me bombë, si pasojë e të cilave mbetën të vdekur të paktën 170 afganë dhe 13 ushtarë amerikanë.
Përgjegjësinë për sulmin e ka marrë grupi Shteti Islamik.