Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, ka akuzuar Kinën se po vepron më agresivisht jashtë vendit dhe më shtypëse brenda vendit, njofton BBC.
Ai ka thënë në një intervistë me CBS News se SHBA-ja nuk dëshiron ta dëmtojë Kinën por nuk do ta lejonin atë të minonte rendin ndërkombëtar të bazuar në rregulla.
Ai vuri në dukje se një përballje ushtarake ishte thellësisht në kundërshtim me interesat e të dy vendeve.
Tensionet janë rritur në kohët e fundit për tregtinë, spiunazhin dhe pandeminë.
Marrëdhënia Kinë-SHBA është thelbësore për të dy palët dhe botën e gjerë, me Pekinin në mënyrë të përsëritur duke i bërë thirrje administratës së re në Uashington për të përmirësuar marrëdhëniet të cilat u përkeqësuan nën Donald Trumpin.
"Presidenti Biden e bëri të qartë se në një numër fushash kemi shqetësime reale në lidhje me veprimet që Kina ka ndërmarrë, dhe që përfshin në fushën ekonomike, vjedhjen e pronës intelektuale. Ne nuk e kemi luksin të mos merremi me Kinën. Ekzistojnë ndërlikime të vërteta në marrëdhënie, qoftë kjo pjesa kundërshtare, qoftë pjesa konkurruese, qoftë pjesa bashkëpunuese", ka thënë Blinken.
Blinken shtoi që pavarësisht që Kina po mundohet të konkurrojë në mënyrë të padrejtë, të gjitha shtetet e dëmtuara nga Pekini janë bashkë për t’i thënë se kjo nuk qëndron.
Presidenti Biden, në fjalimin e tij të parë në Kongres javën e kaluar, theksoi se ai nuk po kërkonte konflikt me Kinën dhe shtoi se ai i kishte thënë presidentit Xi në telefonatën e tij se "ne e mirëpresim konkurrencën" për të qenë fuqia mbizotëruese globale.